Transmetuar më 26-01-2018, 16:57

Po shkruaj dy rreshta, meqë bota shpirtërore për shumë si unë, ka dalë nga moda dhe nuk jam në garë. A po, në garë jam. Por, në garë me veten… me synimin që ditë pas dite, të zhvillohem apo të bëj diçka të mirë që sjell dobi. E për ironi, në të njëjtën kohë, duhet të shpik ca mekanizma që të më mbrojnë nga dalldia kolektive që na ka zënë, në garën e klikimeve që mbushin koshet sociale. A është dhunë kjo? Them se po. Në radhë të parë është dhunim i vetes, por rrallëherë njeriu i kthen sytë nga vetja.

Nëse dua t’i jap një figurë imagjinatës, shoh një skenë me dërrasa të vjetra, që lyhet me bojë e duket si pa bojë, e aty hipin vjelësit e klikimeve apo ithtarët e modelit të ri shoqërisë sonë. Spektatorët – që jemi ne – themi kur do mbarojë kjo shfaqje e shformuar. E si jo?

Njerëz të zbukuruar me zor, fjalor dhune, këngë të fortësh, video me lekë e femra si objekte. Nga pas kanë një tufë mediatike që i trumbeton papushim nëpër ekrane, në artikuj, e intervista. Vetëm për numër klikimesh. E për ndonjë reklamë më shumë.

Ne vdesim nga pak çdo ditë. Sa herë që bëhemi pjesë e kësaj shfaqjeje… sepse është presion i përditshëm të cilin e shkarkojmë me ashpërsi dhe mllef tek njëri-tjetri si llavë vullkani, me apo padashje. E mbetemi në thelb e në ligështim, një shoqëri që nuk ka respektin dhe vlerat si pikë referimi, por sipërfaqësinë e ujit që ka kohë që nuk rrjedh.

Media ka një qëllim social, përtej atij ekonomik. Bilanci mes të dyjave, është lufta apo tundimi më i madh, që në emër të konkurrencës ajo justifikon veten, dhe qëllimin. Por brezi i ri po deformohet dhe i shtrembëruar, nuk ecën dot përpara. Diku do rrëzohet.

A ka zgjidhje? Është koha virtuale, dhe koha virtuale mbetet gjithmonë abstrakte. Por një dritare për zërat që ia vlejnë asnjëherë nuk është vonë të hapet. E solidariteti mes atyre që botën shpirtërore e mbajnë me thonj, është më se i domosdoshëm. E zëri i brendshëm i mospajtimit që i duhet ngritur volumi në kupë të qiellit.

Kam miq në Gjakovë dhe përherë kur i takoj, më befason lumnueshëm toni i zërit që përdorin dhe respekti për të njohur e të panjohur. E unë qetësohem, se nuk kam nevojë të filtroj arrogancën, siç bëj çdo ditë në tokën që asnjëherë nuk zgjodhëm ta braktisnim.

(Blog/Ndër Mejtime)