Transmetuar më 25-01-2018, 14:18

Pas lajmit se Shqipëria ka fituar përballjen në Arbitrazh ndaj Francesco Becchetit për hidrocentralin e Klaivaçit ka ardhur dhe reagimi i parë. Ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri e ka cilësuar këtë një lajm të mirë, ndërsa shpreh falenderim të veçantë për ekipin që përfsaqëson Shqipërinë në Arbitrazh.

“Të dashur miq! Shqipëria fitoi një përballje të rëndësishme në Arbitrazhin Ndërkombëtar të ICC kundrejt shoqërisë Hydro S.R.L. Gjej rastin të shpreh një falënderim të veçantë për ekipin që përfaqësoi Shqipërinë në arbitrazh: juristët e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për punën e bërë dhe Avokaturën e Shtetit, e cila me profesionalizëm udhëhoqi me sukses këtë proces”, u shpreh Gjiknuri.

Më tej ai thekson se “vendimi  i arbitrazhit konfirmoi edhe njëherë vërtetësinë e asaj çka ne kemi deklaruar që në fillim për koncesionin e hidrocentralit të Kalivaçit. Kjo vepër e rëndësishme energjetike tashmë do të mund të konkretizohet nga një investitor serioz”.

Shqipëria fitoi përballjen në arbitrazh, në gjyqin ndërkombëtar ndaj kompanisë “Hydro S.R.L”, të drejtuar nga biznesmeni italian Francesco Bechetti. Ministria e Energjetikës, bën me dije se Republika e Shqipërisë duke vepruar nëpërmjet Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë, u padit në Tetor 2014, në Arbitrazhin Ndërkombëtar të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë (“Arbitrazhi i IÇ”) nga shoqëria Hydro S.R.L.

Në padi u kërkua zgjidhja e marrëveshjes së koncesionit të lidhur midis palëve ndërgjyqëse për ndërtimin e një hidrocentrali në Kalivaç, për faj të Shqipërisë, dhe pagesa e një dëmshpërblimi në një vlerë prej 137 235 090 euro, si edhe e të gjithë kostove të paditësit dhe procesit të arbitrazhit.

Krahas pagesës së këtij dëmi, Shqipëria kërkoi edhe pagesën e kamat-vonesave për mospërmbushjen e kontratës deri në vlerën prej 12 milionë e 900 mijë euro, si edhe të kostove ligjore dhe të procesit të arbitrazhit.

Trupa e gjykimit vendosi që të rrëzojë të gjithë pretendimet e paditësit, duke e ngarkuar këtë të fundit me faj për mospërmbushjen e kontratës dhe me pagesën e kamat-vonesave deri në vlerën e cituar më lartë dhe të të gjithë kostove ligjore dhe të procesit të arbitrazhit të pësuara nga i padituri, në një vlerë prej rreth 1 258 642 euro.

Në një vendim të dytë, trupa e gjykimit do të vendosë vlerën e dëmshpërblimit që paditësi do të duhet t’i paguajë Shqipërisë për mospërmbushjen e kontratës së koncesionit për faj të tij, bashkë me të gjithë interesat dhe kostot e tjera të zbatueshme./b.l/noa.al/