Transmetuar më 25-01-2018, 13:14

Shqipëria fiton përballjen në arbitrazh, në gjyqin ndërkombëtar ndaj kompanisë “Hydro S.R.L”, të drejtuar nga biznesmeni italian Francesco Bechetti.

Ministria e Energjetikës, bën me dije se Republika e Shqipërisë duke vepruar nëpërmjet Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë, u padit në Tetor 2014, në Arbitrazhin Ndërkombëtar të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë (“Arbitrazhi i IÇ”) nga shoqëria Hydro S.R.L.

Në padi u kërkua zgjidhja e marrëveshjes së koncesionit të lidhur midis palëve ndërgjyqëse për ndërtimin e një hidrocentrali në Kalivaç, për faj të Shqipërisë, dhe pagesa e një dëmshpërblimi në një vlerë prej 137 235 090 euro, si edhe e të gjithë kostove të paditësit dhe procesit të arbitrazhit.

Më tej thuhet se Shqipëria paraqiti kundërpadi në këtë proces ku pretendoi se, pavarësisht nga mirëbesimi dhe vullneti i mirë që ka karakterizuar gjithmonë Shqipërinë në lidhje me zbatimin e këtij koncesioni, paditësi ka qenë në shkelje dhe mospërmbushje të kontratës së koncesionit, për fajin e tij, duke i shkaktuar në këtë mënyrë një dëm prej 158 milionë euro.

Krahas pagesës së këtij dëmi, Shqipëria kërkoi edhe pagesën e kamat-vonesave për mospërmbushjen e kontratës deri në vlerën prej 12 milionë e 900 mijë euro, si edhe të kostove ligjore dhe të procesit të arbitrazhit.

Trupa e gjykimit vendosi që të rrëzojë të gjithë pretendimet e paditësit, duke e ngarkuar këtë të fundit me faj për mospërmbushjen e kontratës dhe me pagesën e kamat-vonesave deri në vlerën e cituar më lartë dhe të të gjithë kostove ligjore dhe të procesit të arbitrazhit të pësuara nga i padituri, në një vlerë prej rreth 1 258 642 euro.

Në një vendim të dytë, trupa e gjykimit do të vendosë vlerën e dëmshpërblimit që paditësi do të duhet t’i paguajë Shqipërisë për mospërmbushjen e kontratës së koncesionit për faj të tij, bashkë me të gjithë interesat dhe kostot e tjera të zbatueshme. /a.y/noa.al