Transmetuar më 23-01-2018, 14:38

Një ngjarje e rëndë është shënuar në një familje, ku persona të paidentifikuar kanë hyrë në banesë, kanë dhunuar djalin e mitur me synim grabitjen. Gjithçka ka ndodhur në fshatin Cakran të Fierit, mbrëmjen e kësaj të hëne.

Më konkretisht persona të paidentifikuar janë futur në banesën e shtetasit L.H, 42 vjeç dhe kanë lënduar fëmijën e tij 8 vjeçar.

Pasi e kanë goditur disa herë, ata i kanë kërkuar të tregojë vendndodhjen e lekëve të prindërve, të cilët nuk ndodheshin në banesë.

Noa.al mëson se prindërit e tij kishin shkuar për vizitë në ambulancë, pasi nëna e të miturit nuk ndihej mirë dhe për rrjedhojë ai ishte vetëm.

Dyshohet se personat që kanë hyrë në banesë, kanë qenë në dijeni të lëvizjeve të çiftit dhe për shkak të errësirës, rreth orës 18.00 të mbrëmjes së djeshme kanë hyrë në banesë, me synim grabitjen.

Mirëpo kur janë përballur me vogëlushin ata e kanë dhunuar, duke e goditur disa herë.

“Trego ku i mban lekët yt atë”, i kanë thënë grabitësit të miturit, i cili duke mos pasur dijeni, ka ngritur supet.

Por të dyshuarit nuk kanë ngurruar që ta qëllojnë, para se të largohen. Kur janë kthyer në shtëpi, prindërit e kanë gjetur vogëlushin duke qarë, ku ai u ka treguar gjithçka kishte ndodhur.

I mituri u dërgua në spital në gjendje shoku, ndërsa më tej u largua për në banesë. Kjo ka bërë që 42-vjeçari ti drejtohet policisë për denoncim.

Aktualisht vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve. /a.y/noa.al

Foto ilustruese