Transmetuar më 23-01-2018, 09:33

Kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim Petrit Vasili, ka reaguar ndaj procesit të përzgjedhjes së kandidatëve për misionet e Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Përmes një reagimi në rrjetin social Facebook Vasili thotë se kryeministri Rama po asgjëson Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, ndërsa sulmon ambasadorët e BE dhe SHBA në vendin tonë, të cilët sipas tij kanë heshtur deri tani për këtë proces.

“Në web-in e delegacionit europian në Tiranë sqarohet si më poshtë arsyeja e pranisë së Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit: Pse ka ardhur ONM-ja në Shqipëri?

Paketa e reformës së drejtësisë e miratuar në vitin 2016 synonte rikthimin e besimit publik te gjyqësori. Si pjesë të reformës, u parashikuan dispozita specifike për rivlerësimin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe këshilltarëve /asistentëve ligjorë aktualë (procesi i vetingut) në bazë të integritetit, formimit etik dhe aftësive profesionale. 

Përfshirja e komunitetit ndërkombëtar në këtë proces parashikohet nga ana kushtetuese – është konsideruar vendimtare për kredibilitetin e procesit nga legjislatori shqiptar. Pra në përgjigjen e kësaj pyetjeje sqarohet për të gjithë shqiptarët se ONM-ja ku BE dhe SHBA janë pjesë e tij, është vendimtare për reformën”, shkruan Vasili.

Më tej ai thekson se kryeministri dhe kamikazët e tij të verbër e hodhën poshtë dhe e përbuzën ONM, sepse kandidatët që ONM s’kualifikoi ata i nxorën të parët dhe do ti çojnë në sallën e parlamentit.

“ONM ishte garancia e vetme ku shqiptarët besuan pas premtimeve pafund të Vlahutin dhe Lu. Një nga ata që besoi isha edhe unë dhe votova që reforma të shkonte për votim, ju kujtoj që ishte vota e 5-të pa të cilën reforma nuk shkonte në kuvend. ONM u flak tutje nga kryeministri dhe bashkë me të u flak edhe integriteti i reformës. 

Reforma humbi moralin. Edhe tani do vazhdojnë të heshtin Vlahutin dhe Lu???? Ata në shumë raste kanë treguar se dinë të reagojnë në çast. Ky është çasti për të shpëtuar reformën e sakatuar dhe ç’integruar. Mjaft heshtët Vlahutin dhe Lu, Act Now”, shprehet Vasili. /b.l/noa.al/