Transmetuar më 22-01-2018, 20:47

130 shqiptarë janë riatdheshuar vullnetarisht ditën e sotme, dhe janë kthyer me dëshirën e tyre, pasi iu ishte mohuar e drejta për të përfituar azil në Francë.

Ata u kthyen rreth orës 18:00 të ditës së hënë, përmes aeroportit “Nënë Tereza”, ku ishte e pranishme edhe Drejtorja e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, Aida Hajnaj.

Në fjalën e saj Hajnaj apeloi edhe një herë ndërgjegjësimin e shtetasve shqiptarë azilkërkues, dhe respektimin e rregullave të lëvizjes së lirë në zonën Schengen.

“Shtetasit shqiptarë duhet të ndërgjegjësohen dhe të kuptojnë se rruga e vetme për t’u integruar në vendet e BE-së dhe në Schengen, është vetëm respektimi i rregullave dhe i parimeve të lëvizjes së lirë”, tha ajo.

Sipas Hajnajt, në vijim të masave kundër paligjshmërisë, “do të vazhdojmë me identifikimin e të gjithë shtetasve, të cilët përdorin dokumenta false apo dokumenta të tjera, për të lëvizur në vendet e BE-së dhe Schengenit, në mënyrë jo të rregullt dhe jo në respekt të parimeve dhe rregullave të lëvizjes së lirë”. /k.k/noa.al/