Transmetuar më 21-01-2018, 13:57

Ajo që fillimisht u raportua si një ngjarje aksidentale, duket se mund të jetë një krim i mirëfilltë.

Kjo pasi të gjitha dyshimet çojnë tek fakti se Salkie Hoxhallari 73 vjeçe dhe djali i saj Olsi Hoxhallari, 43 vjeç, dyshohet se janë vrarë, para se shtëpia të përfshihej nga zjarri.

Për këtë arsye policia ka shoqëruar kunatën e 43-vjeçarit, bashkëshorti i së cilës ndodhet në burg, i akuzuar se i ka vjedhur një shumë parash viktimës.

Mësohet se Olsi kishte akuzuar të vëllanë për vjedhje, çka bëri që ai të arrestohet.

Nga hetimet e kryera në trupin e viktimave janë konstatuar shenja dhune, më konkretisht e moshuara kishte shenja në qafë, ndërsa djali i saj dëmtime në kokë.

Trupave të pajetë po u bëhet ekzaminimi mjeko-ligjor, për të zbuluar nëse janë vrarë para se në banesë të binte zjarri.

Sakaq pranë trupit të pajetë të 43-vjeçarit Olsi Hoxhallarit është gjetur edhe një bisht cigareje.

Mendohet se zjarri është shkaktuar si pasojë e rrjedhjes së bombolës së gazit si dhe nga kontakti me sobën me dru, e cila përdorej për ngrohje nga viktimat.

Ngjarja tragjike ndodhi në ende pa zbardhur e diela, rreth orës 04.20 të mëngjesit të sotëm, në qytetin e Vlorës, në lagjen “1 Maji”.

Viktimat Salkie Hoxhallari 73 vjeçe dhe djali i saj Olsi Hoxhallari 43 vjeç, u gjetën të djegur dhe të pajetë. Ata ishin zhvendosur në Vlorë prej disa vitesh, ndërsa ishin me origjinë nga Maliqi i Korçës.

Bazuar në dëshminë e gruas së Olsit, ajo e kishte lënë të shoqin dhe vjehrrën tek shtëpia e vjetër ku po ngroheshin me sobën e zjarrit, ndërsa vetë kishte ikur te shtëpia tjetër pasi po qante djali i vogël.

Rreth orës 04.00 të mëngjesit ajo ka dëgjuar një shpërthim të fuqishëm dhe ka parë që nga banesa dilte zjarr, ku dhe pasi ka shqyer derën, që sipas saj ishte e mbyllur nga brenda, ka gjetur trupat e pajetë. Ajo tha se zjarri dyshohet të jetë shkaktuar nga rrjedhja e bombolës 5 kilëshe të gazit e cila përdorej për gatim dhe soba e zjarrit. Nëse fillimisht u mendua si ngjarje aksidentale, konstatimi i shenjave të dhunës në trupin e viktimave, i ka dhënë kthesë tjetër historisë. /a.y/noa.al