Transmetuar më 20-01-2018, 20:47

Lëvizja Socialiste për Integrim vazhdon përgatitjet për protestën e 27 janarit.

Mbrëmjen e kësaj të shtune, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi është takuar me strukturat e kësaj partie në Njësinë nr. 5.

Në fjalën e saj, Kryemadhi theksoi se nën qeverisjen e Edi Ramës, tashmë shqiptarët e kanë humbur shpresën.

Për këtë arsye, ajo bëri thirrje për largimin e Ramës nga pushteti.

Madje ajo shkoi më tej kur tha se “ka ardhur koha që shqiptarët të zgjidhin vetë punët e tyre, dhe të ua zgjidhin jabanxhinjtë.”

Me këtë deklaratë, Kryemadhi në mënyrë indirekte i përgjigjet ambasadorit të SHBA-ve në vendin tonë, Donald Lu, i cili një ditë më parë doli kundër PD dhe LSI lidhur me kërkesën për ndryshimet kushtetuese, duke thënë se Kushtetuta dhe ligji janë të qarta.

”Në Shqipëri po instalohet një strukturë kriminale e cila nuk ka ndodhur në 27 vite demokraci. Shqiptarët janë populli me i vjetër dhe kjo është dhe krenari dhe një nxitje për tu treguar të gjithë atyre që nuk besojnë tek shqiptarët. Jemi popull që punët tona i zgjidhim vetë dhe nuk lejojmë jabanxhinjtë të na i zgjidhim. Populli në 27 janar do të jetë pa parulla politike dhe ne dhe me një frymë po të duam e rrëzojmë Edi Ramën”, u shpreh Kryemadhi.