Transmetuar më 20-01-2018, 19:07

Nga e hëna, në gjithë vendin do të nisë një fushatë ndërgjegjësimi për qytetarët mbi pagesën e faturave të prapambetura të ujit të pijshëm, si dhe lidhjen e kontratave të reja. Kurse, nga muaji shkurt, grupet e taks-forcës do të jenë në terren për t’i dhënë fund vjedhjes së kësaj pasurie publike.

Në mbledhjen e sotme të Shoqatës për Autonominë Vendore, ku morën pjesë kryetarët e 45 bashkive të vendit, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili është njëkohësisht edhe kryetar i shoqatës, tha se do t’i jepet fund situatës së shpërdorimit të ujit të pijshëm në vend, si dhe do të merren masa për rritjen e pagesave, me qëllim realizimin e investimeve dhe përmirësimin e shërbimit për qytetarët.

“Deri në fund të këtij muaji qytetarët do të ftohen vullnetarisht që të lidhin akt-marrëveshjet me Ujësjellësin nëse janë debitorë; të vënë matësit, nëse nuk i kanë pasur më parë; të shlyejnë detyrimet, që të ndalohet vullnetarisht vjedhja dhe shpërdorimi i ujit të pijshëm.

Nga e hëna, secili prej nesh do të jetë në terren për një fushatë komunikimi me qytetarët, të cilët na janë përgjigjur në mënyrë të jashtëzakonshme. Por, kjo duhet inkurajuar dhe besoj se është në nderin tonë që dy javët e fundit të janarit, të përfshihemi në një fushatë lokale për të informuar qytetarët”, deklaroi Veliaj.

Brenda janarit, secila prej bashkive do të lidhë një marrëveshje me Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, e cila do të ofrojë asistencë për projektet dhe investimet e reja në ujësjellësa.

Veliaj vlerësoi nismën e kryeministrit Edi Rama për ndërprerjen e abuzimeve me ujin e pijshëm, ndërsa theksoi nevojën për rritjen e performancës në këtë sektor të rëndësishëm. /k.k/noa.al/