Transmetuar më 20-01-2018, 12:14

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi në një takim me strukturat e partisë së saj në Elbasan u bëri thirrje shqiptarëve që t’i bashkohen protestës së 27 janarit. Teksa falenderoi qytetarët elbasanllinj për votat që i kanë dhënë LSI-së, Kryemadhi përshëndeti Ramën për ndihmën me ilaçe që ky i fundit i dha një mësueseje nga Rrësheni që vuan nga kanceri i gjirit.

"Dua të përshëndes Ramën për ndihmën që i dha zonjës nga Rrësheni për ndihmesën që i dha për sëmundjen e kancerit. Do dëshiroja ta bënte këtë gjë me të gjithë ata perona që vuajnë të njëjtin hall dhe rrinë prapa dyerve të spitaleve", tha ajo.

Kryemadhi bëri thirrje që shqiptarët që zgjohen nga gjumi i thellë ku kanë rënë. “Falënderoj qytetin e Elbasanit që ia dhatë mundësinë LSI. Ju jam mirënjohëse dhe borxhlie, por ju jap fjalën se puna jonë do të jetë e pandalshme. Elbasani meriton vëmendjen e politikës. Na votuat përball një presioni, një terrori dhe treguat vendosshmëri. Treguat se Elbasani nuk shitet, nuk blihet, as nuk tundohet. Ju jeni heronjtë e LSI”, u shpreh Monika.

Më  tej ajo theksoi se LSI ka qenë forcë stabilizuese, që ka sjellë stabilitet në sigurinë kombëtare. "Kjo forcë politike sot kërkon mbështetjen tuaj për të zgjuar shqiptarët nga gjumi i frikshëm i harresës që i ka përfshirë. Ne sot do t’ju bëjmë thirrje që nga Elbasani e në shumë qytete të tjera për të zgjuar shqiptarët. Ju jeni të vetëdijshëm që qindra mijëra në Elbasan ngrysen dhe gdhihen të paushqyer. Kjo është një nga arsyet pse duhet të protestojmë në 27 janar. Duhet të ndërtojmë Europën në Shqipëri", tha Kryemadhi./b.l/noa.al/