Transmetuar më 20-01-2018, 11:35

Kryeprokurorja Arta Marku firmos ndërprerjen e komandimeve të prokurorëve. Të gjithë Prokurorët e komanduar do të kthehen pranë prokurorive ku janë emëruar.

Brenda janarit do të ndërpriten të gjithë komandimet e prokurorëve që janë firmosur nga ish kryeprokurori Adriatik Llalla.  

Ky vendim i shefes së organit të akuzës bën që prokurorët të kthehen automatikisht pranë prokurorive ku janë emëruar dhe ata janë duke bërë dorëzimin e dosjeve.

Në të gjithë vendin ka rreth 30 prokurorë të komanduar, ndërsa Marku ka ndërprerë deri më tani komandimet për 6 drejtues.

Mësohet se mes prokurorëve që lëvizin ka edhe nga Krimet e Rënda, Vlora, apo Durrësi, ndërsa brenda janarit do të ndërpriten të gjithë komandimet.

Kjo lëvizje e radhës e Kryeprokurores së përkohshme, vjen pas një vale shkarkimesh dhe emërimesh, ku më e kontestuara ishte lëvizja e prokurores Rovena Gashi dhe bashkëshortit të saj Dritan Gina.