Transmetuar më 20-01-2018, 10:52

Video e publikuar mëngjesin e sotëm nga kryeministri Edi Rama me mësuesen e sëmurë me tumor të cilës i siguronte ilaçet, ka ngjallur reagime nga dy kampet e opozitës. Pas nënkryetarit të LSI-së, Luan Rama, ka ardhur një reagim i ashpër edhe nga radhët e Partisë Demokratike.

Nënkryetari i PD-së Edi Paloka  përmes një statusi në Facebook shkruan se shfaqja e Ramës është një show, hipokrizi dhe neveri. Mes ironisë, Paloka pohoi se Rama shfaqet si shpëtimtar dhe mburret për ilaçet fatkeqe.

“Hipokrizi, show, neveri… Rama ka publikuar një video ku shfaqet me mësuesen fatkeqe e cila disa ditë më parë ju ankua se është e sëmurë me kancer dhe prej kohësh ,ajo dhe të sëmurë të tjerë, nuk gjenin dot ilaçet e domosdoshme sepse ato mungonin në spitalet tona. Dhe ja ku shfaqet përsëri “shpëtimtari” në video të mburret se gjeti ilaçet për fatkeqen. Me këtë shfaqje të neveritshme, që nuk e ka për herë të parë (kujtoni shfaqjet me legalizimet) Rama, në kulmin e delirit, kërkon të tregoje se AI dhe vetëm AI është zgjidhja dhe shpëtimi”, shkruan Paloka.

Siç shprehet deputeti demokrat, Rama kërkon të hiqet si Mesia por është kryeministri i këtij vendi dhe qytetarëve fatkeq të këtij vendi. “E ka detyrim, detyrimi i parë dhe i vetëm i tij është të qeverisë e të kujdeset për gjithë qytetarët e këtij vendi pa përjashtim po sidomos për ata që janë në nevojë e të pamundur e jo të shfaqet në spektakle televizive si Mesia që me prekjen e tij shpëton fatkeqët që i shprehin personalisht hallin e tyre.

A duhet të prisnin të sëmurët me kancer që një mësuese apo kushdo qytetar tjetër i sëmurë, të ndodhej rastësisht përballë Ramës, për të qarë hallin ( e çfarë halli) që të merrnin një shërbim të domosdosëëm, baraz me jetën…apo ky kryeministër duhej të bënte punën e tij dhe ato ilaçe të ishin detyrimisht në dispozicion të të sëmurëve ?!?”, shton Plaoka.

Paloka thekson më tej se “po me mijëra e mijëra qytetarë të tjerë që kanë halle e probleme të cilat qeveria dhe Rama e kanë detyrim t’ju a zgjidhin , çfarë bëhet? Mos vallë të gjithë këta qytetarë duhet të shpresojnë tek fati, që një ditë t’ju shfaqet Rama dhe me prekjen e shenjte t’ju zgjidh problemin?!

Po, vini re; edhe ky takim “fatlum” duhet të jetë përpara kamerave që të jetë i vlefshëm sepse janë me qindra qytetarët dhe socialistë të thjeshtë, që ja kanë qarë hallin edhe personalisht kryeministrit Rama, po jashtë kamerave, kanë marrë vetëm përgjigje arrogante, fyese , e nëse janë treguar këmbëngulës edhe të shtyrat e bodyguardëve”

Ndërkohë nënkryetari i demokratëve u bën thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës së opozitës më 27 janar në Bulevard. “Nëse ky kryeministër do të bënte qoftë edhe një dite në vit punën dhe detyrimin e tij, shqiptarët nuk do të ishin sot në këto kushte e nuk do të arratiseshin nga shtepitë e tyre në një numër më të madh se sirianët. Prandaj vetëm largimi i tij një orë e më parë do të jetë fillimi, i zgjidhjes së problemeve. 27 janar, ora 12.00 në Bulevard”, tha Paloka. /b.l/noa.al/