Transmetuar më 20-01-2018, 10:21

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama ka reaguar lidhur me historinë e mësueses nga Rrësheni të prekur me tumor që publikoi sot kryeministri Rama , ku ky i fundit i siguroi ilaçet të sëmurës. Në një postim në faqen e tij sociale Facebook, Luan Rama e ka cilësuar veprimin e kryeministrit të shëmtuar dhe se bën propagandë me jetën e qytetarëve.

“Sot Edi Rama na uroi mirëmëngjesin e të shtunës me një shfaqje të shëmtuar, e denjë për pazarpropagandën e tij të neveritshme! Mësuesen nga Rrësheni, që me të drejtë denoncoi ditë më parë mungesën e ilaçeve në QSUT, ndër to edhe herceptina që përdoret për të sëmurët me kancer të gjirit, e mori për dore dhe e dërgoi vetë nën shoqërinë e kamerave tek reparti i onkologjisë, për të na treguar se ilaçi më në fund, pas 6 muajsh paska ardhur, dhe tani e sëmura mund ta marrë atë”, shkruan Rama.

Më tej ai shton se morali i fabulës së pazarpropagandës së kryeministrit është i qartë “për t’u shëruar nga sëmundja, duhet t’i thuash kryeministrit; për të ardhur ilaçi, duhet t’i thuash kryeministrit; që ta marrësh ilaçin; duhet të shkosh me kryeministrin; që të ta japin ilaçin në QSUT, duhet të shkosh me kryeministrin; që të ta bëjnë ilaçin, duhet të shkosh me kryeministrin! Sepse zoti është ai, shteti është ai, doktori është ai,jeta është ai, vdekja është ai! Dhe pastaj na flet për sistemin, për shëndetësinë falas”.

Mes të tjerash Luan Rama risjell në vëmendje disa vargje të Migjenit.

“… asht e neveritshme,

e keqe, e turpshme!…

balli që e ka,

syt që e shprehin,

buzët që më kot mundohen

ta mshehin!”

Kështu do të ulërinte Migjeni!”

Ndërsa në fund Rama i fton qytetarët ta shohin mirë videon në vijim, të cilën e ka marrë nga faqja e kryeministrit në Facebook, dhe përfundimin sipas tij duhet ta nxjerrin vetë! “Ndërsa, mijëra e mijëra të sëmurë që nuk mund ta takojnë dot kryeministrin për të shkuar me të në spital, le të kënaqen me talljen dhe pazarpropagandën e tij”. /b.l/noa.al/