Transmetuar më 20-01-2018, 08:51

Aktivitetet tona të përditshme na bëjnë që të mos jemi shumë të rregullt me orarin e konsumimit të vakteve. Shpesh na ndodh të zgjohemi vonë dhe të dalim nga shtëpia pa e konsumuar mëngjesin, ose maksimumi konsumojmë një kafe (me stomakun bosh). Por sa e shëndetshme është një sjellje e tillë për organizmin tonë?

Shumë prej dietologëve në mbarë botën pohojnë të njëjtën gjë. Anashkalimi që i bëjmë vaktit të mëngjesit, ngadalëson ritmet e metabolizmit tonë dhe për pasojë çon në një shtim të masës dhjamore. Nëse vazhdohet me të njëjtën sjellje, kuptohet që për disa vite do të përballemi me probleme të tipit të hipertensionit, apo hiperkolesterolemisë.

Sipas një studimi të publikuar ne American Journal of Clinical Nutrition thuhet gjithashtu se nëse nuk konsumohet mëngjesi, atëherë rritet rreziku për atak kardiak dhe diabet.

Mëngjesi është si ari! Duhet të konsumojmë në mëngjes ato ushqime që kanë kaloritë dhe vlerat e duhura, dhe jo produkte të dëmshme. Nëse nuk hani mëngjes atëherë keni nivele më të larta insuline të cilat do të sjellin edhe rritje të kolesterolit të dëmshëm.

Megjithatë ende ka diskutime se cili është mëngjesi ideal, ai anglez, amerikan, italian, gjerman..

Mëngjesi amerikan: Kryesisht konsumohet kafe, portokallë, bukë, gjalp, ëmbëlsira, petulla, proshutë, djathë, vezë…

Mëngjesi italian: Qumësht, kafe, bukë të thekur, marmalatë, kos, lëng i freskët portokalli. Kush nuk e preferon kafen, konsumon çajin.

Mëngjesi anglez dhe gjerman: Vezë të skuqura, mustardë, briosh. Një mëngjes me shumë kalori dhe plot yndyrna. Niveli i kalorive në një mëngjes të tille është deri në 1000.

Mënyrën se si hani mëngjes e zgjidhni ju, por apeli është i vazhdueshëm: Mos dilni nga shtëpia pa futur diçka në gojë.