Transmetuar më 20-01-2018, 07:56

Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku ka ngritur brenda këtij institucioni drejtorinë e inspektimeve. Kjo drejtori do të ketë për kompetencë hetimin disiplinor të prokurorëve.

Ngritja e këtij sektori sipas Prokurorisë, është e mbështetur në dispozitat kalimtare. Prokuroria e Përgjithshme bën me dije se ngritja e këtij sektori është e drejtë e titullarit sipas pjesë e ristrukturimit.

Kjo lëvizje e Markut pritej mes radhëve të prokurorëve, pasi ky ishte dhe një nga premtimet e saj, teksa ndodhej përballë anëtarëve të Komisionit të Ligjeve, ku shpalosi kandidaturën e saj për kryeprokurore të përgjithshme.

Kjo drejtori do të ketë jetëgjatësi deri në ngritjen e institucioneve të reja brenda sistemit të prokurorisë, siç është Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Derisa të marrë formë ky institucion që do të kontrollojë punën e prokurorëve, Arta Marku, do të mbajë si "levë", monitorimi dhe kontrolli të punës së prokurorëve Drejtorinë e Inspektimit.

Kjo drejtori pritet të ushtrojë funksionin e saj në të gjitha prokuroritë e rretheve, ku dy grupe apo tre grupe prokurorësh do ndahen në rrethe të caktuara,. ku do inspektojnë punën hetimore të prokurorëve në rrethe. Bëhet fjalë për rreth 360 prokurorë që janë në sistem dhe që në ditët në vijim puna e tyre hetimore do të monitorohet me imtësi.