Transmetuar më 19-01-2018, 22:38

Një kosovar mund të shkojë edhe në burg për veprimin që bëri me djalin e tij.

Ai jeton në Gjermani, dhe bëri synet djalin pa njoftuar më parë bashkëshorten e divorcuar, e cila është besimtare.

Gruaja ka të drejtën e kujdestarisë për djalin dhe një vajzë, shkruan ëestfalenblatt.de. Por, me lejen e saj, në vitin 2015 dy fëmijët kishin kaluar pushimet verore te babai, transmeton albinfo.ch.

Ai e kishte shfrytëzuar këtë kohë dhe e kishte çuar të birin në një klinikë mjekësore në Essen, e cila bën ndërhyrjen kirurgjikale të rrethprerjes (synet) sipas ritualit mysliman.

Vogëlushi nuk donte të bëhej synet ndërsa nëna e tij e kishte paditur babain e vogëlushit, ose ish-bashkëshortin e saj.

Ai ishte dënuar nga Gjykata Penale e Essenit me 6 muaj burg me kusht për shkaktim të qëllimshëm të lëndimit trupor.

Por për prokurorinë, ky dënim kishte qenë tepër i butë. Pas ankesës së bërë nga prokuroria, gjykata superiore, ajo e Landit, e dënon kosovarin me 1 vjet burg, sërish me kusht.

Por për prokurorinë, edhe dënimi me një vit burg me kusht duket shumë i ulët. Kështu, ajo e ka dërguar rastin në Gjykatën e Lartë të Landit, në Hamm, ku ka pasur sukses.

Kjo gjykatë ka autorizuar një dhomë tjetër të Gjykatës së landit për ta bërë rigjykimin e çështjes.

Sipas Gykatës së Lartë të Landit, gjyqtarët që e kishin pasur në dorë lëndën, kishin dështuar të sqaronin se si ka rrjedhur ndërhyrja e rrethprerjes.

Ata nuk i kanë pasqyruar as përmasat e dhembjes dhe as ngarkesën psikike që ka pasur vogëlushi në atë rast.

Po ashtu duhet sqaruar se çfarë pasojash fizike dhe shpirtërore për jetën e mëtejshme të vogëlushit do të ketë e gjithë kjo.

Në vendimin gjyqësor thuhet më tutje se prindërit që kanë të drejtën e përkujdesjes së fëmijës janë të detyruar ligjërisht që, lidhur me një operacion të planifikuar të diskutojnë me fëmijën në mënyrë të përshtatshme për moshën e tij, dhe të përpiqen që të bindin atë për ta dhënë pëlqimin.

Kur t`i ketë sqaruar të gjitha këto, procesi i ri mund të sjellë një dënim më të ashpër, madje, edhe dënim efektiv, pra jo më me kusht.