Transmetuar më 19-01-2018, 18:59

Gjatë një takimi me strukturat e LSI-së në njësinë numër 1, në Tiranë, Monika Kryemadhi u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që të bashkohen në protestën e 27 janarit.

Kryemadhi apeloi edhe simpatizantët e partisë që drejton, të shkojnë derë më derë për të bindur edhe ata të cilët nuk e kanë vendosur ende nëse do të jenë pjesë e protestës.

“Ne ju kërkojmë ju, që deri më datën 27 janar, derë më derë, me komshinjtë, pensionistët, të papunët të flasim më ta dhe të jenë të gjithë më 27 janar në protestë.

Ne duhet të jemi atje për veten tonë. Të jemi aty për të gjithë ata naftëtarë që i gënjyen natën e vitit të ri, për të gjithë minatorët, për të gjithë të përndjekurit politikë. Kjo është filozofia e Edi Ramës që të shkurtojë memorien. Të dalin për ,ti treguar Edi Ramës dhe kukullave të tij, për largimin e shqiptareve. Unë ju ftoj që të mos ndaleni në asnjë moment”, tha Kryemadhi.

Numri një i LSI-së iu përgjigj edhe zërave që thonë se edhe kjo forcë politike ka mëkatet e veta në situatën ku ndodhet vendit.

Për këtë pjesë ajo tha se “LSI ka qenë në pushtet me 2 partitë, edhe PD edhe me PS. Por pak ka pasur pushtetin, pak ka pasur edhe mëkatet”. /k.k/noa.al/