Transmetuar më 19-01-2018, 18:44

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias mbërriti në orët e pasdites së kësaj të premte në qytetin e Korçës. Ai u prit nga homologu i tij shqiptar, Ditmir Bushati.

Korça u përzgjodh si vendi ku dy delegacionet do të vijojnë me diskutimin e çështjeve dypalëshe, në përpjekje për të avancuar edhe më tej bisedimet e zhvilluara nga 10 deri më 12 nëntori i 2017 në Kretë.

Takimi treditor në ishullin më të madh grek u përmbyll pa rezultate konkrete, por vetëm me një deklaratë të përbashkët, ku të dyja palët pranuan rëndësinë e dialogut për “të gjetur zgjidhje të qëndrueshme për problemet mes dy vendeve.

Në tryezë janë çështje “të nxehta”, si ligji i luftës, çështja e kufirit detar, varrezat e ushtarëve grekë dhe minoriteti.

Megjithatë, atmosfera e bisedimeve duket pozitive dhe këtë e ka konfirmuar edhe vetë ministri i Jashtëm grek në ditët e para të këtij viti.

“Viti 2018 do të jetë një vit ku do të gjejnë zgjidhje probleme me vendet fqinje, të cilat kanë qenë në batak për dekada të tëra”, deklaronte ai.