Transmetuar më 19-01-2018, 12:56

Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar pas deklatës së Ambasadës Amerikane në Tiranë, ku kjo e fundit ishte kundër propozimit të partive opozitare për ndryshimin e Kushtetutës sa i përket ligjit për Prokurorin.

Kështu kreu i grupit parlamentar të LSI –së Petrit Vasili me anë të një mesazhi në faqen e tij në Facebook theksoi se Komisioni i Venecias ka folur qartë në shqip dhe në anglisht për çështjen e kryeprokurorit, duke rikujtuar se ajo ka kërkuar konsensus dhe përjashtimin e emërimeve tërësisht politike.

“Komisioni i Venecias ka folur qartë në shqip dhe në anglisht për çështjen e kryeprokurorit. Komisioni i Venecias ka kërkuar 1.Konsensus 2.Përjashtimin e emërimeve tërësisht politike. Çfarë kërkon Komisioni i Venecias kërkon edhe opozita sot.

Kush "harron" qëllimisht Komisionin e Venecias dhe bëhet bashkëautor i një faji të rëndë kushtetues, shkatërron përfundimisht reformën në drejtësi dhe legjitimon kapjen e saj nga krimi dhe trafiqet”, shkruan Vasili.

Më tej ai thekson se Komisioni i Venecias ka folur qartë, asnjë komision ligjesh i kapur apo më keq akoma ndonjë mision i huaj sipas tij nuk mund të dalë mbi Komisionin e Venecias që është institucioni më autoritar në nivel botëror dhe të cilin e kanë falenderuar të gjithë për reformën në drejtësi në Shqipëri; e kanë falenderuar edhe në shqip edhe në anglisht.

“Po jua rifreskoj memorjen me përcaktimet e Komisionit të Venecias kjo është edhe një mundësi për disa për të rifreskuar ndërgjegjen. Gjithashtu, po ju risjellim dhe qëndrimet e Komisionit të Venecias të mbajtuara në atë kohë për Prokurorin e Përgjithshëm:

Nuk ekziston një model i vetëm për zgjedhjen e tyre; njëkohësisht, është e dëshirueshme që këto emërime të rëndësishme të kenë një shkallë të gjerë konsensusi dhe (nëse kjo arrihet) pa kompromentuar cilësitë e kandidatit të suksesshëm. 

Përfshirja e KLP dhe KED në procesin e emërimit përbën një garanci për përjashtimin e emërimeve tërësisht politike të PP dhe ILD edhe në një situatë ku shumica qeverisëse kontrollon 3/5e votave në Parlament”, shprehet Vasili. /b.l/noa.al/