Transmetuar më 19-01-2018, 09:20

Një zbulim i tmerrshëm i një rasti abuzimesh seksuale është bërë në Gjermani, ku i shfrytëzuari është një fëmijë 9-vjeçar, i cili për vite me radhë është shitur në internet, në një sajt ndërkombëtar pedofilësh në këmbim të parave, si dhe iu është nënshtruar abuzimeve seksuale në mënyrë të përsëritur.

Ngjarja u zbulua vetëm në fillim të kësaj jave, kur u arrestuan 8 persona nga katër shtete të ndryshme, Austri, Zvicër, Francë dhe Gjermani.

Shumë autoritete lokale i njihnin rreziqet e mëdha të cilat i kanoseshin fëmijëve, por për një sërë neglizhencash, si mungesa e komunikimit mes tyre, dhe mungesa e kontrollit nga policia, fëmija mbeti në duart e abuzuesve për vite me radhë.

Gjatë gjithë këtyre viteve askush, as gjykata dhe as shërbimet sociale nuk ndërhynë apo u shqetësuan për të verifikuar nëse fëmija ishte abuzuar, ndonëse sinjalet ishin dhënë.

Partneri i nënës së tij, siç shkruan noa.al, rezulton një pedofil i njohur dhe i dënuar për ngacmim seksual ndaj një vajze 13-vjeçare dhe i deklaruar në vitin 2013 si “rrezik potencial”, madje u ndalua nga gjykata që tu afrohet personave më të vegjël se 18 vjeç.

Por pavarësisht kësaj, ai jetonte me vogëlushin në shtëpi dhe askush nuk u shqetësua që të shkojë dhe ta kontrollojë. Jo vetëm kaq, por kur policia lajmëroi më në fund shërbimet sociale një vit më parë, se fëmija rrezikonte duke jetuar me pedofilin, i mituri u mor në kujdestari por vetëm pas lejes së nënës, e cila pas katër muajsh ndërroi mendje dhe e rimori në shtëpi.

Vetëm në atë moment shërbimet sociale e ankimuan rastin në gjykatë, ku iu dha të drejtë gruas, duke e lejuar djalin që të jetonte me të, me kusht që partneri i saj të mos jetonte më me ta. Por hetimet më të thelluara zbuluan të vërtetën e frikshme, i mituri ishte abuzuar seksualisht për vite me radhë. /a.y/noa.al