Transmetuar më 18-01-2018, 14:25

Presidenti Ilir Meta mblodhi sot Këshillin e Lartë i Drejtësisë, mbledhje, e cila nisi me  shqyrtimin e raportit mbi situatën e çështjeve gjyqësore për dhunën në familje.

Kontrollit iu nënshtruan 28 gjykata të vendit, nga të cilat 6 gjykata të apeleve dhe 22 gjykata të shkallës së parë. Në përfundim të diskutimeve anëtarët e Këshillit miratuan Raportin dhe rekomandimet përkatëse.

Mbledhja vijoi me deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit për shkak të mbushjes së moshës së pensionit për dy gjyqtarë, konkretisht: më 01.01.2018 të gjyqtares Fiqirete Mullaj, gjyqtare në Gjykatën e Apelit Tiranë dhe më 23.01.2018 të gjyqtarit Agim Ferizaj, gjyqtar në Gjykatën e Apelit Durrës.

Në përputhje me rendin e ditës, Këshilli shqyrtoi propozimin e ministres së Drejtësisë, për problematikën e mungesës së gjyqtarëve në disa gjykata. Në përfundim të diskutimeve, anëtarët vendosën që Inspektorati i KLD-së, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, pas mbledhjes së të dhënave statistikore nga gjykatat, të propozojnë pranë KLD-së, zgjidhjet përkatëse për këtë problematikë sa më parë.

Këshilli, diskutoi mbi shkresën e Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda drejtuar KLD-së, ku njoftohej lidhur me regjistrimin e emrave të tre gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit Durrës të cilëve iu atribuon kryerjen e veprës penale. Inspektorati njoftoi se ka filluar procedimi disiplinor për tre gjyqtarët e Apelit Durrës. KLD i kërkoi Inspektoratit të bashkëpunojë me Prokurorinë, nëse ka kërkesa të veçanta në lidhje me këtë çështje, duke i ofruar mbështetje maksimale sipas ligjit.

Gjithashtu, Këshilli vendosi shqyrtimin e të gjitha procedimeve disiplinore të mbartura deri tani.

KLD vendosi delegimin e disa gjyqtarëve në shqyrtimin e çështjeve të caktuara gjyqësore, në gjykata të tjera nga ku ata janë emëruar për të ushtruar funksionin e gjyqtarit. /a.y/noa.al

Foto ilustruese