Transmetuar më 18-01-2018, 13:28

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla reagoi pas deklaratës së  kreut të PD-së, Lulzim Basha i cili kundërshtoi propozimin e PS për ndryshimin e rregullores për arrestimin e deputetëve.

Balla tha se ndryshimet e kërkuara nga Partia Socialiste i referohen Kushtetutës, që u votua me 140 vota, ndërsa theksoi se kryedemokrati Basha nuk po bën dot dallimin e rregullores nga ligji. Sipas tij, ndryshimi në rregulloren është vetëm për kuvendin.

“Më vjen keq që Basha nuk dallon rregulloren nga ligji. Më vjen keq që personi që ka folur sot, Lulzim Basha nuk ditka që ne e kemi votuar me 140 vota ndryshimet kushtetuese. Më 22 korrik të vitit 2012 kemi bërë ndryshime kushtetuese për kufizimin e imunitetit të deputetit, Lulzim nuk po ndryshojmë ligj, po sjellim vetëm rregulloren në linjë me kushtetutën”, tha Balla.

Më herët Kryetari i PD-së u shpreh kundër propozimit të PS-së për ndryshimin e rregullores sa i takon autorizimit të arrestimit të deputetëve .

"Edi Rama ka propozuar një ligj të posaçëm gjoja si rregullore për të mbrojtur peshqit e mëdhenj. Të gjithë ata që prisnin arrestimin e peshqve të mëdhenj tani ata të kënaqen me cironka" deklaroi Basha. 

Basha tha se me ndryshimin e propozuar maxhoranca kërkon që Kuvendi të kthehet në gjykatë, dhe  Edi Rama në gjyqtar, prandaj nuk ka për të pasur konsensusin e opozitës.

"Rama ka synim zhbërjen e reformës në drejtësi. Asnjë peshk i madh të mos dalë në gjykatë qytetarët  të kënaqen me cironka. Nuk ka për të pasur konsensusin tonë. Ju bëj thirrje edhe për këtë aryse të bashkoheni në protestën e 27 janarit" ./b.l/noa.al/

Basha: Rama po kthen në ligj modelin “Tahiri”, mbron peshqit e mëdhenj

Arrestimi i deputetëve, socialistët propozojnë ndryshime të rregullores së Kuvendit