Transmetuar më 17-01-2018, 23:39

Fiks Fare denoncoi sonte sesi gjykata lejoi shembjen e një shtëpie me dokumente të rregullta, duke pretenduar se ndërtesa nuk do të shembet, pasi nuk ka asnjë vendim shembjeje. Qytetari Haxhi Nelaj denoncoi në Fiks Fare se që në vitin 2000 kishte blerë truall nga bashkia e Sarandës, kishte nxjerrë leje të rregullt dhe kishte ndërtuar shtëpinë, të cilën e kishte regjistruar në hipotekë.

Por, 10 vite më vonë, truallit i ka dalë pronari dhe gjykata e Apelit në Gjirokastër, nuk e ka njohur investimin e bërë nga Nelaj, pavarësisht se kishte ndjekur të gjitha procedurat ligjore, kështu që ka vendosur që trualli t’i jepet pronarit. Menjëherë pas këtij vendimi, përmbarimi ka kërkuar lirim dhe dorëzim trualli, ndërsa familja Nelaj ka nisur një tjetër gjyq për njohje pronësie. Përballë përmbarimit, Nelaj ka kërkuar në gjykatën e Sarandës pezullimin e veprimeve përmbarimore, pasi ishte në një tjetër gjyq dhe rrezikonte t’i shembej banesa, për të cilën kishte investuar rreth 200 milionë lekë të vjetra. Gjykata e Sarandës rrëzoi kërkesën e Haxhi Nelajt me pretendimin se nga Gjykata e Apelit Gjirokastër deklarohet vetëm lirim e dorëzim trualli dhe nuk kërkohet shembja e banesës. Por me këtë vendim në dorë, përmbarimi shembi banesën dhe liroi e dorëzoi truallin tek pala që kishte fituar gjyqin.

Duke u nisur nga ky fakt, përmbaruesi Gentian Frangu deklaroi për Fiks Fare se vendimi i gjykatës së shkallës së parë nuk e ndalonte për të prishur ndërtesën. Sipas tij, lirim e dorëzim sendi do të thotë që të lirohet nga çdo subjekt ose objekt që është i vendosur në këtë pronë. I pyetur për argumentin e përdorur nga gjykata se vendimi nuk thotë të shembet ndërtesa, ai deklaron se vendime të tilla ekzekutohen në këtë mënyrë dhe që nëse do të ketë të drejtë familja që i është shembur banesa, atëherë do e mbajë ai përgjegjësinë dhe do të paguajë dëmin e shkaktuar.

Pra vendimin e Apelit në Gjirokastër, ndryshe e lexon gjykata e Sarandës dhe ndryshe përmbaruesi, pasi gjykata thotë se nuk do shembet objekti, prandaj refuzoi pezullimin për ndërhyrjen e përmbarimit, ndërsa përmbaruesi e shemb shtëpinë dhe dorëzon truallin te pala tjetër.