Transmetuar më 17-01-2018, 13:45

Shumë shpejt në rrugët e kryeqytetit do të qarkullojnë autobusët elektrikë, të cilët vijnë jo vetëm si përmirësim i shërbimit ndaj qytetarëve, por njëkohësisht edhe si shembull për uljen e ndotjes së ajrit.

Në konferencën “Bashkëpunimi Territorial, perspektivë e re për nxitjen e integrimit”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj foli mbi mundësitë e bashkëpunimit mes qyteteve, si një mundësi shkëmbimi eksperiencash dhe zhvillimi, por shtoi se tashmë është kryer porosia për autobusët e parë elektrikë, të cilët do të jenë lajmëtarët e revolucionit në transportin publik të Tiranës.

“Sa i takon transportit publik jemi në marshin e pestë me autobusët elektrikë. Ndihma që po na jep Polonia, për të prodhuar një shkëmbim eksperiencash mes operatorëve dhe punonjësve tanë dhe ata polakë të transportit publik, ka sjellë dobi për qytetin dhe besoj nga ky vit do t’ia shohim hajrin në Tiranë, teksa kemi bërë porositë e para për autobusët elektrikë. Në afatgjatë do të kuptojmë sesi frymëzimi dhe shumë pak financim nga një shtet anëtar, mund të sjellë rezultate të jashtëzakonshme”, theksoi Veliaj.

Duke u ndalur tek revolucioni i transportit në kryeqytet, Veliaj deklaroi se po ecën me ritme të shpejta edhe ndërtimi i 10 km korsi për biçikleta, ndërsa shtoi se në shkurt do të mbërrijnë edhe 4 mijë biçikleta.

“Sot Tirana është një kantier i madh për ndërtimin e rrjetit të biçikletave. Nëse keni ecur nëpër Tiranë, me siguri e keni vënë re këtë. Është fryt i një projekti, ndër më të vegjlit që ka financuar ambasada holandeze, për mobilitetin në Tiranë. Jo vetëm po mbarojmë korsitë, por për një muaj do të kemi rreth 4000 biçikleta të reja, që besoj se do të sjellin një revolucion në mënyrën se si funksionon ky qytet”, tha Veliaj.

Ndërsa në fjalën e tij, ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati u shpreh se ky aktivitet çel kalendarin e një viti vendimtar për suksesin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ai theksoi se ekziston një nevojë e qartë për orientim dhe bashkërendim më të mirë të veprimeve, në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar, si dhe integrimi i tyre me prioritete e programet e qeverisë qendrore dhe qeverisjes vendore të vendeve tona, duke siguruar harmonizimin me investimet që po zbatohen në rajonet tona ndërkufitare. /b.l/noa.al/