Transmetuar më 17-01-2018, 12:15
Publicitet

Del pamja e flamurit të parë të Kastriotëve. Pamja është publikuar nga arkitekti Artan Shkreli në profilin e tij në Facebook:

“Tani që festa e flamurit kaloi, dhe tingujt e fanfarat po mehen, postoj këtu pamjen më të parë që trashëgojmë të flamurit të Kastriotëve. Natyrisht nuk është pamja e parë e shujkes (stemës) me shqiponjë dykrenëshe të tyre, pasi të tilla kanë tepruar, por pikërisht ajo për së pari e një flamuri.

Grafika nuk është e panjohur, por doja të theksoja rëndësinë e saj si paraqitje parake e atij që më pas u bë flamuri kombëtar i shqiptarëve.

Figura në fjalë gjendet në veprën madhore latinisht të humanistit gjenealogjist gjerman Hieronymus Henninges, botuar në Magdeburg me 1598 dhe titulluar “Theatrum Genealogicum ostentans omnens omnium aetatus familias...". Në fakt libri ishte përfunduar në vitin 1578, por u botua 20 vjet më pas, një vit mbas vdekjes së autorit.

Vepra është konceptuar në katër pjesë që nyjetohen në pesë volume, në të cilat paraqiten jo vetëm gjenealogjitë dhe shujkat e familjeve më të njohura e me rëndësi për kohën, por edhe vetë studiuesit bashkëkohore. “Theatrum Genealogicum” është tejet voluminoz, dhe në ndërtimin e gjenealogjive Henninges përdor si burimet klasike ashtu dhe ato kohanike të shek XVI (përfshirë veprën e Barletit mbi të cilën mbështetet për nxjerrjen në pah të familjes zulmëmadhe të Skënderbeut).

Çka bie në sy është fakti se Kastriotëve u jepet rendësi e posaçme, qoftë edhe në raport me familjet princërore e mbretërore të Europës mesjetare, ndonëse ata nuk janë veçse zotër të Arbënisë dhe Epirit. Trajtimi i Kastriotëve bëhet në kaptinën “Epiri et Albania reges...”, në plot tre faqe (606-607-608) dhe me ta mbyllet pjesa e tretë e librit.

Figura paraqet Skënderbeun në këmbë me shpatë në brez dhe me flamurin në dorën e djathtë. Në fakt është një paraqitje shume e hijshme dhe duket se me këtë qëndrim gravuristi ka dashur të theksojë faktin se ai është jo vetëm figura më e shquar e gjindjes së tij, por edhe konfirmuesi i një simboli që do bëhet flamur i provincës së

Arbënisë dhe Epirit. Është hera e parë që, me zotin e kësaj province, parashihet flamuri që do ju prijë më vonë shqiptarëve në përpjekjen për një formacion shtetëror të mëvetësishëm e të qëndrueshëm - gjë që, për shkak të represionit turk, nuk mbërritën ta bëjnë atëherë kur po ngjizeshin formacionet e reja shtetërore në Europën e Rilindjes dhe Illuminizmit.

Bie gjithashtu në sy veshja fisnikërore, civile e Kastriotit, me në krye kësulën e famshme tipike arbërore, të ashtuquajturën botërisht “chapeau albanaise”, kësulë që do të bënte trend në gjithë kontinentin, duke dhënë më pas variacionet e shumta të asaj që rëndom e quajmë kapele republike. Fytyrimi i shqiponjës në flamur është i traditës miteleuropiane dhe ka të bëjë, sa i takon formës, më shumë me shqiponjën e ngritur për herë të pare nga Gjoluli në Deçiç (1911) dhe Wiedi në Durrës (1914), se atë të ironizuar nga Zogu në vitet 20 e që u bë bazë për flamurin e sotëm.

Për në, kjo gravurë e Pesëqindës, simbolizon Nëntorin e Parë, atë të ngritjes së flamurit në Krujën e çliruar nga osmanët më 28 Nëntor 1443. /a.y/noa.al