Transmetuar më 17-01-2018, 11:50

Gjatë ditës së sotme në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, drejtoresha e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, Drejtuese e Lartë Aida Hajnaj ka zhvilluar një takim me homologen e saj drejtoreshën e Përgjithshme të Departamentit të Kufirit dhe Migracionit në Policinë Greke, Gjeneral Lejtnant Zaharoula Tsirigoti.

Gjatë takimit janë diskutuar çështje që kanë të bëjnë me bashkëpunimin e ngushtë midis dy Drejtorive të Kufirit, patrullimet e sinkronizuara të shërbimeve policore me qëllim parandalimin, zbulimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale ndërkufitare.

Në fjalën e saj drejtoresha e Kufirit dhe Migracionit, Aida Hajnaj ka shprehur mirënjohjen e saj dhe ka falënderuar homologen për bashkëpunimin e mirë, ndihmën dhe mbështetjen që i kanë dhënë Policisë Kufitare Shqiptare.

Gjithashtu ajo deklaroi se forcimi i bashkëpunimit midis drejtorive lokale të kufirit ka për qëllim shkëmbimin e informacionit dhe objektivin e vetëm që është parandalimi dhe goditja e krimit ndërkufitar.

Gjithashtu homologia e saj greke ka nënvizuar masat e marra në luftën kundër krimit të organizuar në rajonet kufitare. Ajo deklaroi se patrullimi i përbashkët dhe shkëmbimi i informacioneve që bëhet ndërmjet dy shërbimeve policore, ka sjellë rezultate pozitive në arrestimin e personave njëkohësisht dhe në sekuestrimin e lëndëve narkotike.

Hajnaj dhe Tsirigoti kanë vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm, si dhe rezultatet e arritura nga aplikimi i mirë i masave të përbashkëta.

Në përfundim të takimit janë inspektuar të dy pikat e kalimit kufitar shqiptar dhe atij Grek, ku drejtuesit lokalë të kufirit kanë dëshmuar dhe një herë bashkëpunimin mjaft të mirë midis dy vendeve. /a.y/noa.al