Transmetuar më 17-01-2018, 10:40
Publicitet

Femrave të cilave iu kanë ardhur menstruacionet para moshës 12-vjeçare dhe që kanë hyrë në menopauzë para moshës 47-vjeçare, rrezikojnë më shumë që të pësojnë infarkt.

Është kjo ajo që është zbuluar nga studiuesit anglezë të ‘George Institute for Global Health’, të University of Oxford, të cilët analizuan të dhënat e siguruara nga Biobank në Britaninë e Madhe dhe që e publikuan studimin në revistën “Heart”.

Për të arritur në këtë përfundim, studiuesit analizuan të dhënat e mbledhura nga 267.440 femra dhe 215.088 meshkuj, ku asnjëri prej tyre nuk vuante nga problemet kardiovaskulare në momentin e nisjes së studimit.

Pjesëmarrësit në studim iu nënshtruan një periudhe monitorimi që zgjati për 7 vjet, gjatë së cilit regjistruan rastet e sëmundjeve kardiake, ku rezultoi se u goditën nga infarkti 9054 persona, prej tyre 34% ishin femra.

Duke analizuar të kaluarën e pjesëmarrëseve në studim, rezultoi se femrat të cilave u kishte ardhur cikli para moshës 12-vjeçare, rrezikonin me 10% më shumë se të tjerat që të prekeshin nga sëmundje kardiake, në raport me ato që cikli u kishte ardhur pas moshës 13-vjeçare, shkruan noa.al.

Po ashtu femrat që kishin hyrë në menopauzë para moshës 47-vjeçare, rrezikonin me 33% që të prekeshin nga sëmundje kardiovaskulare, dhe më konkretisht rrezikonin 42% më shumë që të goditeshin nga infarkti. /a.y/noa.al