Transmetuar më 17-01-2018, 08:30

Oscar Perez, ish polici i cili u ngrit me armë kundër qeverisë së Nicolas Maduro dhe që u akuzua për grusht shteti, u vra nga forcat e sigurisë venezueliane në periferi të Karakas.

“Anëtarët e kësaj celule terroriste që bënë rezistencë u vranë dhe pesë prej tyre u arrestuan”, deklaroi ministria e Brendshme, pa specifikuar nëse piloti rebel ishte mes viktimave.

Maduro tha këtë të hënë se operacioni ishte i destinuar për të kapur grupin terrorist që sulmoi Gjykatën Supreme dhe që po përgatiste një autobombë për të goditur një ambasadë të huaj.

Megjithatë mbeten mister të dhënat lidhur me vdekjen e Perez. CNN nënvizon se nuk mundi që ta konfirmojë direkt vdekjen e pilotit, i cili gjatë së hënës u shfaq në një video të përhapur në internet me fytyrën e gjakosur.

“Na sulmuan, na qëlluan. Nuk donin që të dorëzoheshim, donin të na vrisnin. Nuk po qëllojmë por vazhdojnë të na sulmojnë. Po tentojmë të negociojmë pasi ka njerëz të pafajshëm këty, civilë… por duan të na vrasin”, shprehej Perez në video. /a.y/noa.al