Transmetuar më 16-01-2018, 17:23

Katër të arrestuar dhe 400 kilogramë drogë e sekuestruar, dhe 100 mijë euro, është bilanci i një operacioni policor, nga ana e autoriteteve italiane.

Droga e kishte origjinën nga Spanja, dhe ishte ngarkuar në një furgon për të hyrë në territorin italian.

Përveç drogës, shoferi me origjinë spanjolle dhe i arrestuar, kishte fshehur në kuti këpucësh, shumën e parave prej 100 mijë eurosh, të vendosura në kabinën e mjetit.

Tre italianë që i përkasin organizatës kriminale janë vënë në pranga, mes të cilëve edhe pronari i një ndërtese në Castronno, e cila ishte vënë në dispozicion të grupit për ruajtjen e drogës dhe shpërndarjen e saj në zinxhirin e furnizimit në Zvicër dhe Itali, përkatësisht në krahinat e Como-s, Milano, Bergamo, Varese dhe Bolonjës.

Operacioni, i kryer nga Guardia di Finanza e Ponte Chiasso dhe i koduar "Nobilitas", është pjesë e hetimeve të hapura në vitin 2016, deleguar nga prokuroria e Komos.

Të paraburgosurit përdorën masa të ndryshme parandaluese për të anashkaluar aktivitetet hetimore duke përdorur sistemet e komunikimit që konsideroheshin të sigurta. Ata ndërronin vazhdimisht telefonat e tyre celularë.

Por, një detaj i ri i pa përdorur nga grupet kriminale ishte transaksioni i pagesave nëpërmjet monedhës virtuale, Bitcoin, duke përfituar edhe nga karakteristikat e anonimitetit dhe mungesës së gjurmshmërisë së saj për të rritur volumet e blerjes.

Nëse droga do të shitej në çmim me pakicë, do t’i sillte organizatës një shumë prej 4 mln eurosh.