Transmetuar më 16-01-2018, 16:38

Nisi sot rimbursimi i fishave të diabetit për fëmijët diabetikë, pas vendimit të Qeverisë për ofrimin falas të fishave për fëmijët 0-18 vjeç që vuajnë nga kjo sëmundje.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale znj. Ogerta Manastirliu pa nga afër procedurën e marrjes së fishave falas në farmacinë e rimbursimit të QSUT-së, ku deklaroi se rimbursimi i fishave falas për fëmijët diabetikë jo vetëm mundëson mbajtjen nën kontroll të sëmundjes, por lehtëson familjet nga një pagesë e konsiderueshme mujore.

“Si Damiana, të gjithë fëmijët diabetikë përfitojnë tashmë falas fishat e diabetit, duke i kursyer buxheteve familjare 1.2 milion lekë të vjetra në vit. Do të rimbursohen falas 4 fisha në ditë por kemi menduar për procedurë sa më lehtësuese për marrjen e tyre, në mënyrë që pacientët mos të vijnë të gjithë në Tiranë, por të kenë mundësi ti marrin pranë vendbanimeve të tyre”, tha Manastirliu.

Pacientët nuk do të kenë të nevojshme marrjen e fishave çdo muaj, sikurse ndodh me barnat e rimbursueshme, por do të tërheqin deri në 6 muaj sasinë e plotë, pas rekomandimit nga mjeku i familjes, pranë farmacive të spitaleve rajonale dhe dy spitaleve bashkiake, pranë vendbanimeve të tyre.

“E kemi shpallur, ky do të jetë viti i fëmijëve, ndaj e kemi nisur vitin me një premtim të mbajtur që lehtëson fëmijët diabetikë dhe familjet e tyre”, u shpreh Manastirliu. /b.l/noa.al/