Transmetuar më 16-01-2018, 13:26

Dieta mesdhetare vazhdon të rrisë meritat e saj në shëndetin e njeriut. Sëmundjet e zemrës, sindroma metabolike, kanceri janë disa nga sëmundjet që mund të parandalohen. Dieta mesdhetare është e lidhur edhe me jetëgjatësinë e njerëzve që konsumojnë të tilla ushqime për një periudhë të gjatë kohore.

 Një studim i ri i publikuar në revistën Forbes, sjell disa prova intriguese për dobinë e stilit mesdhetar të të ushqyerit. Hulumtuesit nga Shkolla Mjekësore e Harvardit analizuan disa studime për të kërkuar lidhjen që ekzistonte ndërmjet dietës ushqimore dhe plakjes. 

Ndryshimi ndërmjet dietave dallohej tek kromozomi i quajtur ‘telomere’, që është element kyç i plakjes. Sa herë një qelizë ndahet, kromozomi ‘telomere’ shkurtohet, rrjedhimisht të vjetrit kanë kromozome ‘telomere’ më të shkurtra se të rinjtë. Po ashtu edhe njerëzit që vuajnë nga sëmundje kronike, përfshi sëmundjet e zemrës apo disa lloje kanceresh. 

Skuadra hulumtuese e Harvardit arriti në përfundimin se njerëzit që përdornin dietë mesdhetare kishin kromozome më të gjata se sa njerëzit që konsumonin dietë perëndimore. Kjo nuk do të thotë se dieta mesdhetare zgjat kromozomet ‘telomere’, por parandalonin shkurtimin e tyre. 

Cila është arsyeja që dieta mesdhetare parandalon tkurrjen e kromozomeve? 

Kjo duket se ka të bëjë me reduktimin e inflamacionit (nxehjes së trupit) dhe stresit. Ne çdo ditë bëjmë gjëra që kontribuojnë në rritjen e stresit dhe inflamacionit : duhanpirja, të qenurit obez, ngrënia e ushqimeve me shumë sheqer. Antioksidantët e ndodhur në dietën mesdhetare mendohet të ulin inflamacionin dhe stresin oksidativ në qelizat tona. 

Shumica e sëmundjeve kronike, veçanërisht sëmundja koronare e zemrës, shkaktohen nga inflamacioni. Janë antioksidantët që ndodhen në fruta, perime, vajin e ullirit, verën, peshkun etj. që reduktojnë inflamacionin. Pra është një dietë mjaft e pasur. 

Por duhet të jemi të qartë që kjo dietë nuk zgjat kromozomin ‘telomere’ por ndihmon në parandalimin e tkurrjes së saj në mënyrë të shpejtë. Dieta mesdhetare është e pasur në fruta, perima, arra, vaj ulliri, peshk, grurë dhe verë. Në këtë dietë nuk ka shumë vend për mishin e kuq, ëmbëlsirat, bulmetrat, ushqimet e skuqura etj.