Transmetuar më 16-01-2018, 09:25

Organizata Freedom House, me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka publikuar raporton për demokracinë.

Në raport thuhet se demokracia në Shqipëri është pjesërisht e lirë dhe se parimet demokratike siç janë integriteti i zgjedhjeve dhe liria e medies, po dobësohen për të 12-in vit me radhë.

“Ka më shumë vende, në vitin 2017-të shumë më shumë, që po pësojnë rënie të lirisë në vend të përmirësimit”, tha Arch Puddington, nga Freedom House, duke folur për Zërin e Amerikës para se të publikohet raporti.

Sipas organizatës që ka analizuar të dhënat nga 195 vende, në vitin 2017, 88 vende radhiten në mesin e vendeve të lira, 59 janë me liri të pjesshme dhe 49 radhiten në mesin e vendeve jo të lira.

Shqipëria dhe Kosova radhiten në mesin e vendeve pjesërisht të lira, së bashku me Maqedoninë, Bosnje e Hercegovinën dhe Malin e Zi.

Ndërsa Serbia dhe Kroacia, radhiten në mesin e vendeve të lira.

Liritë në Botë, publikohen që nga viti 1973, duke i dhënë mundësinë organizatës Freedom House të ndjekë trendet globale për më shumë se 40 vjet.

Ndër gjetjet kryesore të raportit, është dobësimi i Shteteve të Bashkuara si një kampion i demokracisë, një pozicion i ndërlikuar edhe më shumë për shkak të hetimeve të vazhdueshme për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.