Transmetuar më 15-01-2018, 11:42

Zërat e ditëve të fundit se Real Madrid kërkon të marrë me çdo kusht sulmuesin Neymar janë bërë edhe më të fortë.

Mediat spanjolle konfirmojnë se Florentino Perez është i magjepsur nga braziliani dhe është gati të ofrojë çdo shumë për ta sjellë atë në “Santiago Bernabeu”.

Dhe për ta realizuar këtë blerje ai është gati edhe të heqë dorë nga Cristiano Ronaldo, që mund të jetë pjesë e kësaj marrëveshje, me portugezin që do të shkojë të luajë me PSG.

Sikurse informoi pak ditë më parë edhe e përditshmja spanjolle Marca, një gazetë shumë pranë klubit madrilen, Perez kërkon me çdo kusht ta shkëpusë brazilianin nga PSG.

Madje për të fituar shërbimet e tij, dhe për t’ia marrë klubit që shpenzoi shumën rekord 222 milionë euro për Neymar, kupola drejtuese e “Los Blancos” po përgatit ofertën 400 milionë euro.

Duket diçka e pabesueshme, por me ritmin që po rriten çmimet e futbollistëve, e pamundura nuk ekziston.

Por ky shkëmbim edhe nëse mund të bëhet pritet të ndodh vetëm verën e ardhshme, pasi të përfundojë Kupa e Botës. Edhe PSG ka shprehur disa herë interes për Ronaldo, që pasi ka fituar gjithçka me Real Madrid mund të provojë një aventurë të re në karrierën e tij./b.l/noa.al/