Transmetuar më 15-01-2018, 11:30

Kryeministri Edi Rama u ndal paraditen e sotme në inaugurimin e fillimit të punimeve për zyrat e reja të Federatës Shqiptare të Futbollit, në ambientet e ish-kompleksit sportiv “Dinamo”.

Por ndërsa mbajti fjalën e rastit, teksa këto ditë ka nisur zyrtarisht gara për kreun e ri të FSHF-së, mes drejtuesit aktual Armand Duka dhe deputetit socialist Bashkim Fino, ai dha një mesazh.

Përballë kritikave se politika po kap dhe futbollin, Rama deklaroi prerë, “Ju lutem mos më ngatërroni mua me zgjedhjet për kreun e FSHF-së”.

Nga ana tjetër ai shprehu përgëzime dhe mbarësi për gjithë komunitetin, duke u shprehur besimplotë se pas 18 muajsh do të ndihemi të çliruar nga një borxh i madh ndaj ekipit kombëtar të futbollit, për të cilin tha se ka bërë shumë për këtë vend dhe ka merituar dhe meriton të ketë shtëpinë e vetë, qoftë për tu stërvitur qoftë për të luajtur.

“Me këtë mjedis këtu dhe me arenën kombëtare që besoj se do jetë gati në fillim të vitit të ardhshëm, besoj se do çlirohemi nga ndjenja e fajit”, u shpreh Rama. /a.y/noa.al