Transmetuar më 14-01-2018, 17:44

Gjashtë është numri i të plagosurve nga shpërthimi i një apartamenti në katin e fundit të një pallati pesë katësh, në komunën Sesto San Giovanni, në provincën e Milanos.

Pesë prej tyre janë anëtarë të një familje emigrantësh shqiptarë.

Shpërthimi ndodhi në apartamentin e një 73-vjeçari italian, i cili ka pësuar djegie të shkallës së parë në trup. Familja shqiptare jetonte në apartamentin ngjitur me atë ku ndodhi shpërthimi.

Pesë shqiptarët e plagosur kanë marrë plagë për shkak të shembjes së mureve të apartamentit. Shpërthimi ka shkatërruar dy apartamentet, si dhe ka rrëzuar fasadën e katit të fundit të pallatit.

Pesë të plagosurit shqiptarë janë anëtarë të një familje, të përbërë prej një çifti të rinjsh të moshës 35 e 33 vjeç, me djalin e tyre 10 muajsh dhe prindërit e njërit prej tyre, në moshën 68 e 62 vjeç.

Të plagosurit jashtë rrezikut për jetën. Tre prej tyre janë dërguar për mjekim në spitalin Niguarda mes të cilëve dhe 73 vjecari italian, ndërsa tre të tjerë në spitalin San Raffaelle të Milanos.

Ende nuk ka një deklaratë zyrtare mbi shkakun që ka shkaktuar  shpërthimin, dhe pse hetimet e para flasin për një shpërthim të një tubi gazi o një problem në kaldajën e përbashkët. /k.k/noa.al/