Transmetuar më 14-01-2018, 10:14

Gara për kreun e FSHF-së ka nisur e ethshme, ndërsa dilemat janë të shumta për faktin se presidenti aktual tenton edhe një tjetër mandat pas 16 viteve. Megjithatë, nëse pyet vetë Armand Dukën, ka një këndvështrim ndryshe, pasi është i bindur se meriton të votëbesohet edhe për 4 vite. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Duka foli për temat më të nxehta në prag të zgjedhjeve, ndërsa theksoi se imazhi i FSHF-së rrezikon të dëmtohet në sytë e FIFA-s dhe UEFA-s.

– Zoti Duka, na jepni pesë arsye se përse komuniteti i futbollit duhet t’ju besojë juve një tjetër mandat?

Mund t’ju jap më shumë se pesë arsye, por thelbin dua ta përmbledh me pak fjalë. E para, siç e kanë parë të gjithë, Federata Shqiptare e Futbollit dhe futbolli shqiptar në përgjithësi gjithë këto vite kanë qenë ndër të paktët ishuj nga të gjithë hallkat e pushteteve dhe të shoqërisë shqiptare që kanë funksionuar. Që ka pasur një produkt konkret, një produkt të tillë që pak vite më parë dhe entuziasti më i madh nuk e kishte menduar kurrë. Një produkt të tillë që si rrallëherë ka bërë krenar mua, ty, çdo shqiptar kudo që ndodhet.

Masivizimi i futbollit, përmirësimi i ndjeshëm i infrastrukturës, forcimi i garës sportive përmes një Superlige shumë kompetitive, mbështetja financiare e klubeve përmes marketimit më të mirë të kampionatit dhe dhënies së stimujve shtesë, rezultatet fantastike të Ekipit Kombëtar dhe klubeve shqiptare në Europë, janë disa nga premtimet e mbajtura të mandatit tim në krye të FSHFsë. Besoj se këto premtime të mbajtura, e madje në disa raste të tejkaluara, janë arsye të forta që komuniteti i futbollit të jetë bindur tashmë se unë jam një njeri i fjalës së mbajtur.

Pak kohë më parë kanë qenë me gishtat e dorës ata që mendonin se Shqipëria do të kualifikohej në një Europian apo që në eliminatorët e Botërorit do na linte pas vetëm Spanja dhe Italia. Gjithashtu kanë qenë më gishtat e dorës ata që mendonin që një ekip i kampionatit shqiptar do të arrinte të hynte në ajkën e ekipeve europiane.

Kam dëgjuar disa teori këto ditë që Federatën e mbajnë vetëm këmbët e futbollistëve dhe ne nuk na mbetet gjë tjetër për të thënë. Përpos falënderimeve dhe mirënjohjes të pafundme që jo vetëm unë, po gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, kjo është një teori që nuk e beson asnjë çilimi. Ishte FSHF-ja që zgjodhi një trajner me mentalitet fitues për të drejtuar Kombëtaren dhe po kjo federatë i dha besimin dhe mbështetjen duke i zgjatur kontratën De Biazit sepse ishim të bindur në punën e tij. Ishte FSHF-ja që krijoi kushtet e duhura për të punuar De Biazi dhe çunat e Kombëtares.

Dhe së fundi, por jo më pak e rëndësishme, po ja u them hapur, në qoftë se Federata jonë nuk do kishte arritur këtë nivel imazhi, pjekurie, profesionalizmi lobimesh kombëtare, por edhe personale përgjatë gjithë këtyre viteve, mos ju duket çudi që edhe vendimi arbitrazhit në rastin e ndeshjes me Serbinë të ishte ndryshe. Me këtë nuk dua të them aspak se Shqipëria nuk e kishte të drejtën e Zotit me vete, por në organizmat botërorë të futbollit, ashtu si edhe në botën e politikës, vendet e vogla e kanë pë- suar shumë herë nga padrejtësia dhe arroganca e të mëdhenjve.

Për Shqipërinë ishte hera e parë në gjithë historinë e saj që fitonte një betejë ligjore në arenën ndërkombëtare. Pavarësisht modestisë, nuk mund të lejoj askënd që ta mohojë këtë arritje të FSHF-së në radhë tëparë, por edhe timen personale. Kemi një fakt kokëfortë përballë, që e shohin e ndiejnë të gjithë: futbolli shqiptar dhe Federata Shqiptare e Futbollit janë ndër të ata shembuj që e prezantojnë në mënyrë pozitive vendin tonë në opinion ndërkombëtar.

Duhet ta dini se mua personalisht fjala “ndryshim” më pëlqen ndoshta më shumë sa i pëlqen rivalit tim. Por nuk mendoj se me aq sa ka prezantuar deri tani, programi dhe strategjia e kandidatit tjetër krijon premisat për ndonjë ndryshim thelbësor.

– Çfarë keni ende për t’i dhënë futbollit pas 16 viteve?

Përgjigjen e kësaj pyetje e gjeni në përgjigjen e pyetjes së parë, por përveç kësaj dua t’ju nënvizoj hapur dhe diçka tjetër që nuk kam përse ta fsheh. Një federatë e një vendi të vogël duhet të bëjë dhjetëfishin e punës, lobimit, në krahasim me një federatë të një vendi të madh apo të mesëm.

Në gjithë këtë mekanizëm, marrëdhëniet personale të Presidentit të federatës me homologët apo mekanizmat e ndryshëm kanë një rëndësi shumë të veçantë. Kështu, është fakt dhe në politikë dhe në diplomaci. Investimi im për një dekadë e gjysmë në këto marrëdhënie me rigorozitet është një avantazh i madh edhe për federatën tonë, të vogël për nga shifrat e përfaqësimit, por jo pak të rëndë- sishme në marrëdhëniet me FIFA-n dhe UEFA-n.

Përtej kësaj, njohja ime e thellë me një realitet të futbollit shqiptar që është krijuar dhe prosperuar në këto 10-12 vitet e fundit është një avantazh i madh për të ecur në rrugën ngritjes dhe modernizimit të futbollit shqiptar. Kemi një sërë projektesh, që në bashkëpunim me FIFA-n dhe UEFA-n, do t’i çojmë përpara me sukses.

– A e keni menduar ndonjëherë që detyrën tuaj mund ta bëjë më mirë dikush tjetër që edhe ju e çmoni?

Nuk kam pretenduar dhe as nuk do të pretendoj ndonjëherë të jem i pazëvendësueshëm. Mund të ketë në shume njerëz më të aftë se unë për të drejtuar FSHF-në, por kjo nuk ma heq mua të drejtën të mbroj punën e bërë deri tani dhe të vijoj të shfaq idetë dhe ambiciet e mia për zhvillimin e futbollit shqiptar.

Nga ana tjetër, gjithkush që do të pretendojë se është më i aftë se unë për të drejtuar FSHF-në, duhet ta bëjë këtë përmes angazhimeve dhe projekteve konkrete që bazohen në realitetin shqiptar. Tek e fundit, edhe unë do të kisha dashur të ndërtoja nga një superstadium në çdo qytet të Shqipërisë, por këto punë nuk bëhen me ëndrra dhe dëshira pa kufij. Çdo gjë duhet të jetë e bazuar në realitetin dhe mundësitë tona konkrete.

– A i druheni një kandidati si Bashkim Fino që vjen nga radhët e politikës?

Më lejoni një korrigjim të vogël. Jo një kandidati që vjen nga politika, por një kandidati që vazhdon të jetë në politikë, sepse, me sa ka deklaruar, do të hyjë në garën për kreun e FSHF-së pa hequr dorë as nga mandati i deputetit dhe as nga detyra e sekretarit organizativ të partisë së tij. Gjithsesi, njerëzit janë të lirë në ambiciet e tyre dhe unë bëj pjesë në atë kategori personash që i inkurajojnë të tjerët të mos heqin dorë lehtë nga ambiciet, përfshi këtu dhe mikun tim Bashkim Fino. Sigurisht që nuk kam asnjë droje, nga askush. Puna ime është aty, në sytë e gjithë komunitetit të futbollit dhe gjithë publikut shqiptar, bashkë me ato gjëra që ndoshta nuk janë bërë ashtu si duhet.

Ata do të na vlerësojnë. Sigurisht që, në një pikë, ndoshta unë po vendos një tjetër rekord, jo vetëm shqiptar, por edhe në familjen e madhe europiane ku ne bëjmë pjesë. Po konkurroj përballë një figure që vjen nga radhët e politikës dhe që, me sa duket, nuk është bindur ta lërë mandatin e deputetit apo detyrën e sekretarit organizativ të partisë për t’u bërë pjesë e komunitetit të futbollit. Kjo nuk ndodh në Europë.

Dokumentet themeltarë të FIFA-s dhe UEFA-s kanë sanksionuar se futbolli dhe strukturat e tij duhet të jenë qartësisht të ndara nga çdo ndikim politik apo fetar. Gjithsesi, kjo është një zgjedhje e rivalit dhe unë personalisht nuk kam ndonjë problem me këtë, thjesht mendoj se është një zhvillim që mund ta dëmtojë imazhin ndërkombëtar të FSHF-së. Gjatë gjithë aktivitetit tim në krye të FSHF-së jam përballur shumë herë me politikën dhe, po aq herë, kam treguar se nuk i trembem asaj apo presionit që mund të vijë nga segmente të caktuara të lidhura me të. Nuk kam asnjë arsye të ndryshoj tani.

– Edhe juve ju përmendin faktin që keni ardhur i “sponsorizuar” nga politika, pasi vëllai juaj ka qenë ministër asokohe. A jeni dakord me këtë konstatim?

E para, unë vetë personalisht nuk kam qenë ndonjëherë anëtar partie a parlamenti, ishkryeministër apo ish-kryetar bashkie. E dyta, në atë kohë, vëllait tim iu afrua një post si ministër Bujqësie, jo si eksponet politik, po si një ekspert me njohuri të gjera në fushën e bujqë- sisë. Dhe, në këtë rast, krahasimet nuk qëndrojnë. Nga ana tjetër, nëse gjeni qoftë dhe një rast që partia që ka përfaqësuar vëllai vitet e fundit ka pasur ndikim teorik në zgjedhjet në FSHF, atëherë e dorëzoj që tani kandidaturën. Unë nuk jam president i FSHF-së sepse jam vëllai i Agron Dukës. Unë jam vëllai i Agron Dukës dhe jam i lumtur që është kështu.

– A jeni ndier ndonjëherë i tradhtuar nga bashkëpunëtorë ose presidentë klubesh gjatë gjithë këtyre viteve?

Ka pasur raste kur sjellja e presidentëve më ka surprizuar negativisht, ka pasur raste kur e kam kuptuar se ata nuk bënin atë që mendonin, por ka një mori rastesh kur i kam kuptuar se nga mënyra si kanë vepruar, kanë qenë të detyruar nga rrethana të caktuara. Si mund të ndihem unë i tradhtuar nga njerëz që nuk po lënë vetëm paratë e tyre, por dhe shpirtin për futbollin. Jo vetëm që nuk ndihem i tradhtuar, por sikur një ditë më shumë të qëndronin në futboll do t’i falënderoja nga zemra.

– Cila është gjëja që ju bën më shumë krenar në këto 16 vite?

Europiani i Francës, investimet, gara në vend dhe pranimi i Kosovës në UEFA dhe FIFA. Nëse keni një tjetër renditje të fakteve, bëjeni.