Transmetuar më 14-01-2018, 09:02

Kryeministri Edi Rama ka vijuar me përshëndetjen e tij të mëngjesit duke qëndruar edhe këtë të diel në qytetin e Lezhës ku prej dy ditësh u mbajt edhe mbledhja e parë e qeverisë “Rama 2” për vitin 2018.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Rama një publikuar një video ku tregon transformimin e ujësjellësit në Lezhë.

“Mirëmëngjesi dhe me këtë moment kuptimplotë të transformimit rrënjësor të ujësjellësit të Lezhës, falë një pune të madhe e cilësore të përbashkët, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Ndërkohë një ditë më parë në Shëngjin gjatë një takimi me ministrat dhe drejtuesit qendrorë e vendorë të qarkut Lezhë, ku u ndal në aksionin kundër lidhjeve të paligjshme të ujit të pijshëm, Rama deklaroi se duhet të vazhdohet të rritet ndjeshmëria për ata që kanë lidhje të paligjshme uji.

“Qeveria do subvencionojë qytetarët në nevojë për instalimin e matësave. Nga 1 shkurti do ketë penalizime për lidhjet e paligjshme”, u shpreh Rama.

Po ashtu deklaroi se janari është muaji i fundit kur nuk do të ketë penalizim për lidhjet pa matësa. Sipas tij, ujin e paguajnë konsumatorë të rregullt të të gjitha niveleve, ashtu sikundër sipas tij e vjedhin të gjitha nivelet, duke nënvizuar se nuk është çështje pasurie.

Rama tha se nëse secili merr përsipër të paguajë pjesën e vetë, barra e përbashkët lehtësohet, pasi siç tha ai në të kundërt ata që paguajnë dalin si budallenj dhe ata që nuk paguajnë dalin më të mençur. /b.l/noa.al/