Transmetuar më 14-01-2018, 07:27

Në këto kohë po përfliten më shumë se asnjëherë tjetër në Hollywood për ngacmimet dhe abuzimet seksuale. Ndoshta juve nuk ju kishte shkuar në mendje, por edhe një aktore shqiptare e njohur në botë, ka vuajtur një abuzim seksual kur ishte vetëm 12 vjeç.

Sot përmes një statusi në Facebook, Eliza Dushku ka shkruar historinë e rëndë që ka përjetuar kur ishte fëmijë.

Dushku tregon se ngjarja ka ndodhur kur ajo xhironte filmin “True Lies”, dhe një prej koordinatorëve kryesore të efekteve speciale në Hollywood, Joel Kramel ka abuzuar me të.

“Më kujtohet si sot para 25 viteve, kur Joel më bëri të ndihem e veçantë dhe ndërtoi te unë dhe prindërit e mi besimin si të qe mik familjeje. Kështu, i mbushi mendjen babait tim të më çonte me pushime në Miami dhe më kujtohet aq mirë se si më dha drekën me sushi.

Më pas uli dritat e dhomës, uli temperaturën e kondicionerit dhe më vendosi një film në dhomën me një shtrat. Më pas iku në tualet dhe kur u kthye ishte totalisht i zhveshur. Më pas më shtriu në shtrat dhe filloi të më fërkonte. E më tha: Oh, ti mos bëj sikur nuk të pëlqejnë hiret e mia”,shkruan Eliza në Facebook.