Transmetuar më 13-01-2018, 21:35

Ndërkohë që Samsung ka vendosur të përqendrohet tek ekranet QLED, LG mbetet prodhuesi më i madh dhe më i rëndësishëm i ekraneve OLED në botë dhe kërkimi e prodhimi i produkteve me cilësi gjithnjë e më të lartë nuk ndalet.

Pak ditë para çeljes së CES (më 9 janar) në Las Vegas, LG thyen rekordin botëror, duke prezantuar një ekran OLED 88 inç diagonal me rezolucion 8K.

Ekrani i ri kalon në dimensione dhe rezolucion ekranin e mëparshëm prej 77 inç me rezolucion 4K, i disponueshëm në treg falë kompanive si Sony dhe Panasonic.

Në këtë mënyrë LG konfirmohet lider në botë në prodhimin e ekraneve OLED, një pozicion të cilin është e vendosur ta ruajë.

LG ka bërë investime të mëdha për të rritur prodhimin (rreth 7 miliardë për tre vitet e ardhshme) për të kënaqur kërkesat e klientëve në të ardhmen, shkruan monitor.al.

Pikërisht për këtë është ndërtuar edhe një fabrikë e re për prodhimin e ekraneve OLED, e para jashtë Koresë, në qytetin kinez të Guangzhou, ku do të prodhohen edhe ekranet e vegjël OLED për smartphonet e ardhshëm dhe për botën e automobilave, ku ende sot, lider në këtë treg është Samsung.