Transmetuar më 13-01-2018, 16:24

Arda Turan do të vazhdojë karrierën në vendlindjen e tij, në Turqi, te skuadra Basaksehir Istanbulspor.

Barcelona, nëpërmjet një komunikate për shtyp në faqen e saj të internetit, bëri të ditur arritjen e një marrëveshjeje me këtë skuadër për transferimin e Arda Turan.

Arda Turan kaloi te Basaksehir në formën e huazimit, me opsionin e blerjes së futbollistit nga skuadra turke deri në vitin 2020, me Basaksehir që çdo vit të kësaj periudhe mund të ushtrojë opsionin e blerjes përfundimtare të kartonit të mesfushorit.

Ndonëse është bërë një emër i njohur në të gjithë botën, Turan është kthyer shpesh në lagjen e tij dhe mban kontakte me të gjithë banorët e pallatit në të cilin është rritur. Duke shfrytëzuar faktin se ka fituar miliona euro si futbollist, Turan në 3 vitet e fundit u ka paguar dritat, ujin dhe gazin të gjithë banorëve në pallatin ku jetonte ai, një gjest i rrallë nga një kampion i cili do të kthehet përsëri mes tyre, për të ndihmuar që Bashakshehir të bëjë të vetin titullin kampion.

Për shumëkënd do të ishte një mrekulli, ashtu si ajo që tregojnë nga fëmijëria e Turan, kur për të shfaqur aftësitë e tij, në një nga rrugët e Bashakshehir fitoi një ndeshje të rrallë kundër pesë kundërshtarësh, ndërsa ai kishte si shok skuadre vetëm një portier.

Arda Turan ka luajtur në total 55 ndeshje me Barcelonën, duke shënuar 15 gola. Mesfushori turk ka mundur të fitojë me fanellën blaugrana 6 trofe; një kampionat, dy Kupa Mbreti, një Superkupë të Spanjës, një Botëror klubesh dhe një Superkupë europiane./a.k/noa.al/