Transmetuar më 13-01-2018, 16:05

Nga Spartak Ngjela

A ka një ngjashmëri midis gjendjes korruptive në Shqipëri dhe gjendjes korruptive në Kosovë?

Dhe, a e ka marrë gjendjen në dorë politika amerikane në të dy vendet për ta mposhtur korrupsionin?

Ngjashmëria e të dy korrupsioneve është identike, dhe zgjidhja për mbrojtjen e tyre është e njëjtë: Gjykata Speciale.

Në të dy shtetet shqiptarë, luftën kundër korrupsionit po e drejton politika amerikane, dhe strukturimit e gjykatave janë formulime juridike të ekspertizës amerikane.

Ky do të jetë në fakt shpëtimi i shqiptarëve edhe në Shqipëri edhe në Kosovë, sepse nëse Korrupsioni nuk goditet nga një prokurori speciale dhe gjykatë speciale; bashkimi kombëtar do të jetë një pamundësi absolute.

Pse?

Sepse si rregull historik; korrupsioni shqiptar në një shekull ka bashkëpunuar dhe është ushqyer nga Beogradi.

l.

I pari që ka analizuar se Gjykata Speciale në Kosovë nuk do merret me krim e luftë por me korrupsionin shtetëror, ka qënë ish komandanti i famshëm i UÇK-së Rrustem Mustafa (Remi). Ky, në gusht të vitit 2015 ka theksuar se:

“Gjykata Speciale do të ketë punë më shumë me krimin e organizuar sidomos atë ekonomik, i cili ka bllokuar proceset zhvillimore në vend”, ka shkruar Remi.

Ja, kjo është në fakt ngjashmëria absolute e të dy vendeve tona, dhe prandaj zgjidhja është Gjykata Speciale.

Korrupsioni shtetëror ka shkatërruar tregun dhe investimin, ka frenuar maksimalisht prodhimin dhe ka krijuar papunësinë.

Ky është një dëm kolosal për të dy shtetet shqiptarë, se ka varfëruar në ekstrem shqiptarët dhe ka degraduar edhe shtetin edhe tregun.

Korrupsioni i shfrenuar kryeministror i të dy vendeve tona ka degraduar edhe shtetin dhe tregun, sepse ka paralizuar institucionet shtetërore, duke i kthyer ato në konglomerate antiligjorë që nuk i shërbejnë sistemit politiko-juridik, por përvetësimit të vlerave materiale me anë të korrupsionit.

Vetëm një bandë injotantësh që vjen në pushtet pa u kontrolluar moralisht sillet kësisoj me popullin e vet, por, pasi kapet pastaj me abuzim, si rregull, shpëtimin e ka kërkuar te fqinjët pushtues të territoreve shqiptare.

ll.

Në të dy vendet korrupsioni është bërë bllok dhe i bashkuar kundër Reformës, sepse korrupsioni dhe psikika e abuzimit në të dy vendet ka qenë e njëjtë.

Kjo është arsyeja kryesore që Reforma në Drejtësi në Shqipëri është modeli kryesor i filtrit antikorrupsion edhe në Kosovë. Por, edhe ndërhyrja me forcë e politikës amerikane është gjithashtu e njëjtë.

Nëse në Kosovë akuza ende është e tulatur si institut dhe institucion antikorrupsion; këto ditë në Shqipëri ajo ka bërë një hap thelbësor përpara: ka marrë Prokurorinë.

Marrja e prokurorisë nga antikorrupsioni në Tiranë, po e zhvendos reformën e brendshme të institucionit nga qendra në të gjitha prokuroritë e rretheve gjyqësore në Shqipëri.

Prokurorja e Përgjithshme po godet me dorë të hekurt dhe nën një mendim të konsoliduar antikrim brenda radhëve të prokurorisë.

Nëse nuk goditet krimi brenda prokurorisë në rrafsh kombëtar, dhe po kështu edhe brenda gjykatës, nuk mund të ketë luftë të suksesshme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri.

lll.

Por, Prokuroria e Përgjithshme duhet të shpejtojë, sepse brenda dy javësh komisionet e Vetingut do të shpallin eliminimin nga sistemet përkatëse të gjyqtarëve dhe të prokurorëve; duke filluar shpejt edhe mbushja e sistemeve përkatës, – prokurori dhe gjykatë – me elementë të rinj; të kontrolluar deri në cakun e pamundësisë së korrupsionit.

Menjëherë pastaj fillon nga puna edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë i Gjyqtarëve, sepse nuk po ka më asnjë pengesë ligjore.

Por ndryshim i drastik i gjendjes korruptive në Shqipëri, sidomos fillimi i arrestimit ne radhe të të gjitha bandave kryeministrore, do të krijojë menjëherë edhe në Kosovë fillimin real të pastrimit të të korruptuarve me anë të gjykatës speciale. Por do ta ngrejë shumë lart moralin dhe entuziazmin e shqiptarëve kudo ku ata banojnë…

Duke u nisur nga ky fakt, duhet të theksojmë se dy gjykatat speciale që do të funksionojnë realisht në Shqipëri dhe në Kosovë, do të hapin premisën solide të bashkimit kombëtar.

Korupsionet kryeministrore të të dy shteteve shqiptarë janë shkaku kryesor që mund të sjellin dështimin e pavarësisë së Kosovës dhe të bashkimit kombëtar. Dhe, si rregull, pikërisht këtu fillon e penetron fryma e Beogradit, ashtu siç ka bërë gjithmonë.

"Blejini krerët shqiptarë", kjo ka qënë në një shekull thirrja histerike e kryeministrave në Beograd.

Por tani, luftën kundër korrupsionit në Shqipëri po e drejton drejtpërsëdrejti politika amerikane, kështu që korrupsioni i elitave shqiptare është i destinuar të dorëzohet.

Fillimi i procesit antikorrupsion si teminal penal, tani ka hyrë në një fenomen të pakthyeshëm.

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.al