Transmetuar më 13-01-2018, 12:20

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi zhvilloi mesditën e sotme një takim me strukturat e partisë në Vlorë, në vijim të përgatitjeve për protestën e 27 janarit.

Nga qyteti bregdetar ajo hodhi një varg akuzash për Kryeministrin Edi Rama, duke thënë se synon të kapë sistemin e drejtësisë dhe institucionet e tjera, si mënyrë shantazhi për shqiptarët.

Sipas saj protesta e 27 janarit do të jetë paqësore, pasi siç tha ajo për të rrahur Edi Ramën ka sa të duash në Kuvend, madje edhe nga rradhët e socialistëve, të cilët janë të pakënaqur me qeverisjen.

Kryemadhi deklaroi se bandat dhe krimi i organizuar dhe ata që përfaqësojnë trafikantët e drogës blenë zgjedhjet e 25 qershorit, ndërsa tha se Edi Rama është i lidhur me to.

Kryetarja e LSI, shprehu mirënjohje për sturkturat e partisë së drejtuar prej saj, që siç tha ajo qëndryan heroikisht përballë strukturave kriminale.

“I dhatë një goditje psikologjike Edi Ramës sepse hesapet e tij ishin krejt të tjera. Vlora nuk është një Lungomare, që është ktheyr në një Lungopare që i kushton 10 milionë euro kilometri. E ka kthyer në Lungopare siç thotë Ylli Manjani, për kënaqësitë e veta mendore”, u shpreh Kryemadhi.

Gjithashtu ajo shtoi se sot jemi në një udhëkryq, ku Edi Rama e ka vendosur Shqipërinë nëse do të jetë në drejtimin e BE apo me zgjidhje ekstremiste. /a.y/noa.al