Transmetuar më 13-01-2018, 12:05

Ditën e sotme po mbahen homazhe për ti dhënë lamtumirën e fundit mjeshtrit të valles shqipe, “Nderit të Kombit” Rexhep Çeliku.

Partnerja e tij e valles, Liljana Cingu, e cila bashkë me Çelikun u dekoruan pesë ditë më parë nga Presidenti Ilir Meta me titullin “Nderi i Kombit”, rrëfen pengun e madh të kolegut të saj.

Duke folur pas homazheve që bëri ndaj të ndjerit, ajo tregoi pengun e tij të madh.

“Unë i thosha gjithmonë vëlla, vëlla u lodhe, sa orë punove dhe sa valle do kërcesh, e kisha vëlla më tepër se një partner. Pengu më i madh ishte që edhe sot ai po fluturon, që vallja të mos ndalet, të vazhdojë dhe Shqipëria të jetë një shqiponjë ashtu si e meriton”, deklaroi Cingu.

Ajo tha se ai iku sot, po fluturon dhe si krenar që ka qenë në skenat e vendit dhe jashtë ka nderuar vendin dhe "Nderi i Kombit" i takontej.

Sipas saj, ai ishte një legjendë, fluturonte kudo që shkelte, ndaj tha se edhe gurët e sokakut po qajnë për Rexhepin.

“Unë i them sot, Rexhep të kam në krahë dhe po kërcejmë akoma vallen e bukur të shqipeve. Kjo është humbje e madhe për vendin, për vlerat e ansamblit”, tha ajo e prekur. /a.y/noa.al