Transmetuar më 13-01-2018, 11:50

Shpërthimi i fuqishëm me eksploziv i ndodhur paraditen e sotme, tronditi gjithë qytetin e Shkodrës. Por nga hetimet e policisë dalin detaje të reja, lidhur me shënjestrën e atentatit.

Burime për Report Tv bëjnë të ditur se objekt i sulmit ka qenë Lulzim Kulla, njeri prej personave të mbetur të plagosur i cili është pronari i dyqanit të hedhur në erë. Të njëjtat burime saktësojnë se shpërthimi ka ndodhur në momentin kur Kulla i është afruar dyqanit të tij.

Dyshohet se lëvizjet e tij janë monitoruar nga atentatorët dhe në momentin kur ai ka mbërritur pranë biznesit, kanë bërë shpërthimin e telekomanduar.

Lulzim Kulla është emër i njohur për policinë pasi njihet si “i forti” i Shkodrës i cili nënshtroi tregtarët e këtij qyteti, duke iu marrë edhe bizneset, ndërsa dyshohet se ka marrë pjesë edhe në torturimin për vdekje të një personi në Shkodër, por për ngjarjen nuk është dënuar askush.

Lul Kulla pas viti 1997 u kthye në makthin e tregtarëve dhe biznesmenëve në lagjen “Rus”. Lul Kulla, në bashkëpunim me grupe të tjera kriminale, do vinte nën diktat bizneset e Shkodrës. Për shumë vite ai mbajti nën kontroll lagjen e famshme të Shkodrës, duke kontrolluar aktivitetin tregtar.

Ndërkohë, dy personat e tjerë të mbetur të plagosur nuk kanë lidhje me ngjarjen. Ngjarja ka ndodhur në një nga lagjet më të populluara të kryeqendrës së veriut, pranë qendrës së qytetit. Nga shpërthimi i fuqishëm janë dëmtuar edhe disa automjete të parkuara pranë biznesit.

Policia ka sekuestruar pamjet filmike të bizneseve aty pranë, pasi kanë qenë të pajisura me kamera sigurie dhe dyshohet të kenë filmuar momentin e vendosjes së lëndës eksplozive në dyqan.

Detaje nga shpërthimi me 3 të plagosur në Shkodër, pamjet nga vendi i ngjarjes

Shpërthim me eksploziv në Shkodër, dyshohen 3 të lënduar