Transmetuar më 13-01-2018, 10:50

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, me rastin e 105-vjetorit të Policisë së Shttit vizitoi paraditen e sotme shtëpinë e komisarit të vrarë të policisë, Artan Cuku.

Duke folur për mediat ai tha se në këtë 105- vjetor policia është në një moment tragjik, e tradhtuar nga drejtuesit politik.

Ai tha se nëse më parë kriminelët merrnin arratinë dhe policia ishte në ballë të luftës, sot kriminelët janë në krye të Policisë së Shtetit.

“Drejtuesit e policisë kanë marrë arratinë, ose janë goditur nga krimi, sikurse është oficeri Artan Cuku. Të tjerë janë larguar si Dritan Zagani, pasi denoncuan lidhjet e pushtetit kriminal, lidhjet kriminale të Saimir Tahirit. Të bashkohemi në një aleancë vlerash për të shporrur aleancën e krimit”, u shpreh Basha.

Ai shtoi se vettingu në polici do të mund të bëhet vetëm pasi të largohet aleanca me krimin. Sipas kreut të PD-së, korrupsioni dhe lidhjet e policisë me krimin nisën nga koka e policisë.

Kryedemokrati tha se krimi e ndihmoi të vinte në pushtet Edi Ramën dhe sot krimi komandon.

"Ne do të bëjmë aleancën e vlerave për të shporrur lidhjet e krimit”, deklaroi ndër të tjera Lulzim Basha. /a.y/noa.al