Transmetuar më 13-01-2018, 10:02

Kryeministri Edi Rama zhvilloi paraditen e sotme në Shëngjin takim me ministrat dhe drejtuesit qendrorë e vendorë të qarkut Lezhë, ku u ndal në aksionin kundër lidhjeve të paligjshme të ujit të pijshëm.

Ai deklaroi se duhet të vazhdohet të rritet ndjeshmëria për ata që kanë lidhje të paligjshme uji.

“Qeveria do subvencionojë qytetarët në nevojë për instalimin e matësave. Nga 1 shkurti do ketë penalizime për lidhjet e paligjshme”, u shpreh Rama.

Po ashtu deklaroi se janari është muaji i fundit kur nuk do të ketë penalizim për lidhjet pa matësa.

Sipas tij, ujin e paguajnë konsumatorë të rregullt të të gjitha niveleve, ashtu sikundër sipas tij e vjedhin të gjitha nivelet, duke nënvizuar se nuk është çështje pasurie.

Rama tha se nëse secili merr përsipër të paguajë pjesën e vetë, barra e përbashkët lehtësohet, pasi siç tha ai në të kundërt ata që paguajnë dalin si budallenj dhe ata që nuk paguajnë dalin më të mençur.

Kreu i qeverisë deklaroi se invalidët, pensionistët dhe kategoritë me të ardhura mesatare janë shumë më të rregullt në pagesa.

“Unë u bëj thirrje gjtihë megagënjeshtarëve që janë të pasurit e këtij vendi, të mos luajnë me zjarrin pasi do të bëhen shembuj publik dhe do të ndëshkohen. Ka fshatra turistikë që deklarojnë se furnizohen me pus dhe në fakt vjedhin drejtpërdrejtë ujin nga sistenmi i ujësjellësit”, tha Rama.

Nga ana e tij ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri deklaroi se, “Do subvencionojmë qytetarët për instalimin e sahatëve. Nëse këto ujësjellës nuk do menaxhohen, atëherë do shkojmë drejt agregimit, bashkimit të këtyre ujësjellësave me ata që janë më të suksesshëm”. /a.y/noa.al