Transmetuar më 12-01-2018, 17:19

Kryeministri Edi Rama në një konferencë për shtyp ka folur për vendimet që u morën pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave. Rama e ka cilësuar Lezhën si një qark me potenciale të mëdha, ku pasi ndër më të rëndësishmit iu referua programit të agro- turizmit dhe infrastrukturës rrugore.

“Miratuam një vendim për stimulimin e agro-turizmit, do të ketë një plan kombëtar për zhvillimin. Besoj që do të mbështesim ecurinë në këtë drejtim, pasi potencialet këtu janë realisht të mëdha. Subjektet do të pajisen me një certifikatë të posaçme. Kemi bindjen që këtu potenciali është i madh dhe ka një hapësirë për rritjen e punësimit. Në javët në vijim do të miratojmë edhe programin për agro- turizmin”, u shpreh Rama.

Më tej ai shtoi se një tjetër vendim është ai i përcaktimit të një liste pas një procesi relativisht të gjatë bashkërendimi me kryebashkiakët të 100 fshatrave ku sipas tij do të stimulohet zhvillimi i integruar rural për modelin e ri që më pas do të shtrihet edhe në pjesën tjetër të hapësirës rurale. “Fishta është një prej 100 dallëndysheve të para. Ky model ka të bëjë me infrastrukturën, me ndërhyrjet në dobi të trashëgimisë kulturore”, shtoi Rama.

Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë bëri me dije se është planifikuar edhe ndërtimi i aksit Milot- Balldren dhe Shëngjin- Velipojë.

“Do të ketë një numër projektesh në infrastrukturë,  rindërtimi i terminalit të pasagjerëve. Ata që kishin marrë përsipër për të bërë këtë rrugë po impenjohen duke stimuluar protestat. Pavarësisht se kur e kishin në dorë për ta bërë rrugën i bënë atë që nuk duhet”, tha kryeministri.

Rama ka folur gjithashtu edhe për reformën e ujit ku theksoi se gjatë mbledhjes janë miratuar edhe disa vendime për projektin e ujësjellësve.

“Duhet të shkojë deri në fund reforma e ujit, sot ne kemi miratuar një vendim me rëndësi për subvencionin e kontratave nga shteti dhe vendosjen falas të matësve për familjet në nevojë. Është një masë brenda reformës”, deklaroi Rama. /b.l/noa.al/