Transmetuar më 12-01-2018, 14:19

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, deklaroi se partia që ai përfaqëson do të vazhdojë të rrisë presionin ndaj qeverisë, në mënyrë që viti 2018 të jetë viti i zbatimit të reformës në drejtësi, për të kthyer legjitimitetin dhe kushtetutshmërinë të institucioneve ligjzbatuese.

Në një dalje për mediat pas mbledhjes së parë të grupit parlamentar të LSI për vitin që sapo ka nisur, ai tha se do të ushtrohet presion mbi mazhorancën për të realizuar reformën zgjedhore.

Ai bëri me dije se në fokus të debatit ishte axhenda politike gjatë vitit 2018, duke shprehur mbështetje të plotë të grupit për qëndrimin e LSI.

Luan Rama tha se prioritet i LSI do jetë integrimi europian i vendit, ndaj tha se do ushtrohet presion mbi qeverinë dhe strukturat e saj dhe do jepet kontribut që Shqipëria të çelë negociatat për në Bashkimin Europian, si detyrim ndaj qytetarëve.

Rama deklaroi se grupi parlamentar i LSI, vendosi të marrë pjesë në seancën parlamentare të 15 janarit, kur do të çelet sesioni i ri, duke ushtruar të gjitha përgjegjësitë e përfaqësimit në Kuvend dhe për të përmbushur rolin si forcë opozitare konstruktive për të qenë mbrojtëse dhe zëdhënëse e interesit publik dhe qytetar.

“Grupi mbështeti qëndrimin e kryesisë së LSI, për organizmin e protestës së madhe të 27 janarit dhe është e angazhuar për të sjellë në këtë protestë revoltën qytetare, shqetësimin qytetar dhe problematikën e vendit, në mënyrë që viti 2018 të jetë viti i luftës së vendosur kundër varfërisë, korrupsionit shtetëror, abuzivizmit shtetëror dhe papërgjegjshmërisë shtetërore”, u shpreh ai. /a.y/noa.al