Transmetuar më 12-01-2018, 13:40

Klodiana Shala ishte e ftuar pasditen e djeshme në “Rudina” në Tv Klan, nga ku ndau me publikun të rejat nga aktiviteti i saj jashtë sportit, por edhe rrëfeu detaje nga jeta private.

Klodiana i bëri edhe një kërkesë publike kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj, për t’u mundësuar dy sportistëve që jetojnë në kushte të vështira ekonomike, Seit Prizreni dhe Genc Lugjaj. 

“Unë, dihet që nuk jam me Partinë Socialiste. Dhe mbrëmë i kam shkruajtur Erion Veliajt, kryetarit të Bashkisë së Tiranës, i kam thënë unë dua dy shtëpi për dy sportistë. Njëri që është nënkampion bote në mundje Seit Prizreni dhe tjetri që është Genc Lugjaj, kampion prej 25 vitesh, që është duke i rënë çatia të shkretit dhe një fukarallëk i paparë. Sepse dihet, ne sportistët nuk është se jemi vlerësuar”, tha Klodiana.

“Klod, të kam shumë xhan dhe të pres” -  ia kishte kthyer Veliaj dhe pas kësaj, edhe Klodi tha se pas emisionit, do të nisej drejt tij bashkë me sportistët.

“Dua çelësat. Se përndryshe, i kam thënë, do dal prapë te “Rudina” dhe do them që ti nuk e ke bërë këtë gjë”, tha sportistja.