Transmetuar më 12-01-2018, 07:44

Humbje e madhe për artin shqiptar, ndahet nga jeta para kohe, mjeshtri i valles shqipe Rexhep Çeliku.

Ndarja e tij nga jeta u bë në moshën 63-vjeçare në orët e para të mëngjesit të sotëm, pas një sëmundje të gjatë nga e cila vuante.

Të hënën që lamë pas, Presidenti Ilir Meta e vlerësoi të ndjerin me dekoratën “Nderi i Kombit”.

Dekoratën për mjeshtrin e valles shqipe Meta e argumentoi, “në vlerësim të kontributit të jashtëzakonshëm si solist me nivel të lartë dhe mjeshtëri të veçantë artistike në interpretimin e valleve shqiptare; për promovimin denjësisht të vlerave të mirëfillta të trashëgimisë sonë kulturore kombëtare brenda dhe jashtë vendit, si dhe për pasurimin e fondit të krijimtarisë koreografike dhe përçimin e tij tek brezat e artistëve të rinj”.

Rexhep Çeliku, pasi mori në dorëzim dekoratën e lartë, vuri në dukje se: “Ky vlerësim është shumë i vlefshëm jo vetëm për mua, por për të gjithë kolektivin, me të cilin kemi pasur nderin të punojmë.”

Rexhep Çeliku, lindur me 19 korrik 1954 në Tiranë, i cili që nga viti 1976 është solist i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, numëron në repertorin e tij artistik rreth 8 mijë shfaqje, ku ka interpretuar 32 mijë role brenda dhe jashtë vendit.

Ai është nderuar me titullin “Mjeshtër i Madh”, akorduar nga Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, me motivacionin “për interpretim me nivel të lartë artistik të të gjitha valleve shqiptare dhe transmetimin e saj duke ruajtur origjinalitetin”. /a.y/noa.al

Meta jep dekoratën “Nderi i Kombit” për mjeshtrit e valles Rexhep Çeliku dhe Liljana Cingu